Gjykimi ndaj gjykatësit Ristov, shpalosen dëshmi materiale dhe elektronike
Prokurorja për ndjekjen e krimit të organizuar, Iskra Haxhi Vasileva...

Prokurorja për ndjekjen e krimit të organizuar, Iskra Haxhi Vasileva, ka nisur paraqitjen e provave në procesin gjyqësor kundër gjyqtarit të apelit, Gjoko Ristov, i cili akuzohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash.
Sipas aktakuzës, në janar 2026 gjatë një kontrolli janë gjetur 350 mijë euro bankënota euro të ndara në pako dhe të fshehura me kujdes në mur, në shtëpinë e prindërve në Negotinë me shënime të shkruara me dorë që përmbanin llogaritje të shumave të parave.
Po ashtu u sekuestruan edhe dokumente dhe sende të tjera që dyshohet se lidhen me rastin.
Në seancë, prokurorja paraqiti dokumente nga Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit lidhur me pasurinë e gjyqtarit dhe bashkëshortes së tij.
Ajo iu referua deklarimeve të pasurisë që nga viti 2008, kur Ristovi kishte deklaruar vetëm pasuri të kufizuar, deri te deklarimi i vitit 2021.
Në gjykim u prezantuan edhe video-incizime që tregojnë takime mes ish-zyrtarit Fehmi Stafa dhe gjyqtarit Ristov në ambiente të Gjykatës së Apelit, të cilat Prokuroria i përdor si pjesë të provave për lidhje të mundshme mes tyre dhe rastit të dyshuar të korrupsionit.
“Dëshmitë që kanë të bëjnë dhe lidhen me Fehmi Stafën, vendimi për Lupço Pecovin, në këtë kontekst, gjykata do t’i konsiderojë si rrethana të përgjithshme që janë pjesë edhe e këtij korpusi akuzash për paratë dhe veprën penale të pastrimit të parave.”, - deklaroi prokurorja publike, Iskra Haxhi Vasileva.
Mbrojtja e të akuzuarit kërkoi që ekspertët mjekoligjorë të dëshmojnë personalisht në gjykatë lidhur me analizat e provave biologjike dhe materialeve të sekuestruara, duke kundërshtuar vlefshmërinë e disa provave të paraqitura.
“Dëshmitë e tyre janë të kontaminuara dhe këtë do ta dëshmojmë gjatë procedurës, por ajo për të cilën mbrojtja reagoi më së shumti është se bëhet fjalë për dëshmi nga një vend që nuk është në pronësi të të akuzuarit dhe nuk ka lidhje me të akuzuarin. Vërtetimet të cilat, për fat të keq, nuk i tregoi Prokuroria, janë nënshkruar nga një person tjetër, paratë janë marrë nga një person tjetër dhe më interesantja është se paratë, në muajin e tretë, dhe këtë e kemi treguar, janë dorëzuar në Agjencinë për pronë të konfiskuar.”, - theksoi avokati, Zvonko Davidoviq.
Procesi gjyqësor vazhdon me paraqitjen e provave të tjera dhe dëshmitarëve. (Florije Kamberi, TVM2)
