Futboll

Finale e parakohshme Atletiko & Bayern

28.09.2016 19:07

Veprimtaria më prestigjioze e klubeve të kontinentit, Liga e Kampioneve, luan sonte takimet e dyta në grupet A, B, C dhe D...

Takimi më i spikatur i mbrëmjes është ai që do të luhet në Stadiumin “Visente Kalderon” të kryeqytetit spanjoll, ku Atletiko e Madridit do të ndeshet me Bajernin e Mynihut.
 
Ky takim, i vlefshëm për grupin D, është në fakt një përsëritje e atyre dy dueleve të sezonit të shkuar, ku madrilenët dhe bavarezët u përballën me njëri-tjetrin në gjysmëfinale.
 
Atletiko u kualifikua falë golit të shënuar në fushë të huaj, duke vijuar më pas të mundet në finale nga rivalja kryeqytetase, Realin e Madridit.
 
Për trajnerin italian të Bajernit, Karlo Ançelotin, skuadra e tij duhet të bëjë kujdes nga dyshja sulmuese e madrilenëve, Grizman-Torres. Po kështu, Ançeloti e ka vlerësuar lart punën e madhe që homologu i tij, Diego Simeone, ka bërë me Atletikon e Madridit.
 
Pas duelit Shqipëri-Zvicër në Euro 2016, dy vëllezërit Xhaka do të sfidojnë njëri-tjetrin të mërkurë në Londër ku do të luhet Arsenal-Basel sfidë e vlefshme për grupin A të Uefa Champions League.
 
Nga njëra anë qëndron Graniti vëllai i vogël i familjes Xhaka i cili këtë verë u transferua te topicinjtë e Arsene Wenger për 45 milionë Euro.
 
Në krahun tjetër është Taulanti, mesfushori 25-vjecar i kombëtares shqiptare i cili luan me skuadrën e parë të Baselit që prej vitit 2010.
 
Ndërakaq në Emirates Stadium ka një idhull të ri që i korrespondon emrit të Granit Xhakës. Milionat e shpenzuar në verë për talentin kosovar po i japin të drejtë trajnerit Arsen Venger në fushën e lojës pasi futbollisti i kombëtares së Zvicrës vërtet nuk e ka fituar vendin titullar ende, por po tregohet vendimtar.