Dovizioso me pole position në Malajzi

29.10.2016 17:03

Andrea Dovizioso do të jetë ai që do të nisë garën e Malajzisë nga “pole positon” në Botërorin e MotoGP...

Piloti italian i Ducatit rezultoi me fat në sesionet e provave kualifikuese që u zhvilluan në pistë të lagur nga reshjet e shiut duke e përshkuar pistën e Sepangut me 2 minuta 12 sekonda e 485 të mijtat, kohë e cila rezistoi deri në fund.
 
Në vendin e dytë u pozicionua Valentino Rossi me Yamaha, me 2 të dhjetat më shumë se bashkëkombësi i tij. Vijën e parë të nisjes e plotësoi piloti tjetër i Yamahës, Jorge Lorenzo, koha e të cilit ishte 3 të dhjetat më e lartë se ajo e Andrea Dovizioso-s.
 
Kampioni i Botës në MotoGP, Marc Marquez, këtë radhë u detyra të kënaqej me vendin e katërt në provat kualifikuese. Bëri një paraqitje të mirë në provat zyrtare në garën e Malajzisë edhe Andrea Iannone i rikthyer pas dëmtimit të pësuar, me italianin e Ducatit që shënoi kohën e 6 më të mirë duke lënë pas britanikun Crutchlow.
 
Gara për çmimin e madh të Maljazisë, në klasin mbretëror Moto GP, në program është nesër, me fillim në orën 08.00 sipas kohës lokale në vendin tonë.