Derbi “kuqezi” për Vardarin

26.02.2017 19:22

Edhe në dyluftimin e tretë direkt mes ekipeve të Vardarit dhe Shkëndisë sivjet....

Edhe në dyluftimin e tretë direkt mes ekipeve të Vardarit dhe Shkëndisë sivjet, ishin kuqezinjët nga Shkupi ata që triumfuan, duke bërë kështu një hap tjetër shumë të rëndësishëm drejt mbrojtjes së titullit.

Pas fitoreve të kaluara me 3-0 dhe 2-0, tani shifrat ishin 3-1 në të mirë të Vardarit, në një sfidë në të cilën ndër protagonistët kryesor ishte edhe arbitri, Aleksandar Stavrev.

Deri në minutën e 27-të, në Telekom Arena në Shkup kishte barazpeshë, që në atë moment të vij gabimi fillestar i portierit të mysafirëve, Marko Jovanovski, i cili në mënyrë amatore, dhuroi një top për Tigran Barseghyan, me ç`rast lojtari nga Armenia nuk gaboi dhe zhblloki shifrat.

Megjithatë, mysafirët u kundërpërgjigjën shpejtë dhe pas 12 minutash, barazuan shifrat përmes Besart Ibraimit, pas asistit te Ferhan Hasanit.

Dhe kur të gjithë menduan që pjesa e parë do të mbyllet me 1-1, në skenë dolën Bllazhevski nga vendasit, Cuculi i mysafirëve, por edhe arbitri Stavrev, i cili akordoi penallti të dyshimtë për Vardarin, të cilën në gol e shëndroi Felipe.

Në pjesën e dytë, braziliani doli në skenë edhe njëherë, tani në minutën e 74-të, duke regjistruar një super gol nga goditja e dënimit, për avantazh dhe fitore të Vardarit me 3-1, fitore pas të cilës kuqezinjët nga Shkupi shkëputen në krye të rënditjes, me 47 pikë, shtatë më shumë se Shkëndija e dyta.

Në derbin tjetër të kësaj jave, Shkupi dhe Rabotniçki ndanë nga një pikë, duke luajtur 1-1.

Mysafirët avancuan që në minutën e parë, përmes këmbëshpejtit Suat Sahiti, ndërsa për vendasit, shifrat i barazoi Dimitrija Llazarevski në minutën e 69-të, pas asistit të Jasir Asanit.

Ndërkohë, Renova dështoi në shtëpi, duke luajtur vetëm 2-2 me Makedonija Gjorçe Petrovin, në një ndeshje me shumë kthesa.