Ekonomi

Integrimi ekonomik i Ballkanit, duhet infrastrukturë por edhe strategji

08.05.2017 18:04

Integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ecën aq lehtë saç do të duhej, kjo për shkak të së kaluarës plot konflikte të rajonit...

Integrimi ekonomik i vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk ecën aq lehtë saç do të duhej, kjo për shkak të së kaluarës plot konflikte të rajonit, vlerësuan panelistët në debatin kushtuar Ballkanit dhe sfidave ekonomike, organizuar nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare.
 
Maqedonia ka tashmë një kohë të gjatë problem kryesor krizën politike, por gjithsesi autoritetet thonë se integrimi duhet të fillojë që nga lehtësimet doganore dhe largimi i kufijve e deri tek ndërtimi i një infrastrukture më të mirë, që do të lehtësonte qarkullimin e lirë.  
 
“Si projekte më të rëndësishme të cilat do të lehtësonin integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor janë përfundimi i korridor 8 dhe 10, si dhe ndërtimi i autostradës, si e ashtuquajtur Autostrada e Kaltër”,- theksoi zëvendësministri i transportit i RM-së, Faton Pollozhani.
 
“Kufijtë nuk duhet t’i shikojmë më vetëm në aspekt territorial. Është koha që kufijtë t’i shohim në aspekt ekonomik, t’i largojmë kufijtë për një ekonomi më të mirë, për një standard më të mirë jetësor të qytetarëve tanë”,- tha gazetari, Mitko Arnaudov.
 
Nuk janë vetëm konfliktet, krizat, apo problemet infrastrukturore që pengojnë zhvillimin ekonomik të Ballkanit. Problem më vete është edhe mungesa e investimeve në arsimin profesional, ankohen profesorët nga Kosova. 
 
“Interesimi për të zhvilluar një arsim profesional dhe një edukatë të mirëfilltë mungon. Arsimi profesional është shndërruar në një shabllon, i cili do të thotë vetëm për të kaluar dhe vetëm për të marrë një diplomë profesionalizmi”,- deklaroi profesoresha universitare, Arta Tahiri - Beqa.
 
Shqipëria ka një tjetër problem. BE investon shumë në profesionalizimin e të rinjve, por sapo pajisen me diploma të njohura ndërkombëtarisht, këta të fundit, në vend ta investojnë diturinë në Shqipëri, largohen jashtë.
 
“Shqipëria merr shumë fonde nga Bashkimi Europian dhe institucionet europiane, ku studentët shqiptarë trajnohet, marrin shumë informacione të ndryshme dhe në fund, pasi që marrin certifikata dhe fillojnë punë, e shohin veten si të përgatitur dhe largohen nga Shqipëria”,- potencoi Edison Frangu nga Klubi “Alpbach” – Shqipëri.
 
Sipas panelistëve, integrimi i vendeve të Ballkanit duhet të koncentrohet në qarkullimin e mallrave, qarkullimin e shërbimeve, qarkullimin e punëtorëve dhe infrastrukturën rrugore.
 
GAZMEND REXHEPI