Kulturë

U mbajtë akademia përkujtimore për kaçakun Emin Çeliku-Xhambazi

14.08.2017 20:19

Në kuadër të manifestimit tradicional “Takimet nën rrap” të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë...

Në kuadër të manifestimit tradicional “Takimet nën rrap” të organizuar nga Lidhja e Shkrimtarëve Shqiptarë, në fshatin Cërvicë të Kërçovës, u mbajtë Akademia Përkujtimore për jetën dhe veprimtarinë e kaçakut Emin Çeliku-Xhambazi.
 
Ceremonia përkujtimore filloi me vendosjen e luleve në pllakën përkujtimore të ngritur në fshatin Cërvicë të Kërçovës, në shenjë nderimi për veprën madhore të luftëtarit të lirisë Emin Çeliku-Xhambazi, i cili ka qenë krahu i djathtë i Dervish Carës dhe pjesëmarrës në shumë beteja për çlirimin e tokave shqiptare nga okupatorët e huaj. 
 
Kërçova historikisht ka dhënë dhe jep burra të pushkës dhe të penës dhe ajo ka qenë vatër e patriotizmit dhe atdhedashurisë së pashoq. I tillë ka qenë edhe Emin Çeliku i cili ka lënë gjurmë të thella në historinë e çlirimit të trojeve shqiptare, potencoi rektori i UT  Prof. Dr. Vullnet Ameti, me rastin e hapjes së Akademisë përkujtimore, kushtuar jetës dhe veprimtarisë së Emin Çelikut.
 
Trimëritë e Emin Çelikut përshkruhen edhe në librin e Dr. Vebi Xhemaili, ku jepen të dhëna për betejën e Katllanovës, të zhvilluar më vitin 1844 dhe për aksionet tjera luftarake, si krahu i djathtë i Dervish Carës.
 
Më vitin 1878, ai do të përfaqsojë Kërçovën në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe do të vazhdojë aksionet luftarake për çlirimin e vendit nga pushtuesit turq dhe sllav, tha ndër të tjera, stërnipi i tij, Prof. Dr. Arbër Çeliku, pro-rektor në Universitetin e Tetovës.
 
Historiani Moisi Murra nga Shqipëria, potencoi se trimëritë e kësaj figure kanë qenë të mëdha dhe kontributi i Emin Çelikut në betejat e zhvilluara për çlirimin e tokave shqiptare, përmendet edhe në literaturën e historisë shqiptare.
 
Në këtë manifestim, morën pjesë edhe historianë të tjerë dhe poetë të njohur nga të gjitha trojet shqiptare.    
 
SHABAN DALIPI