Kulturë

Festivali “Netët strugane të poezisë”, edhe këtë vit anashkalohet gjuha shqipe; Saraçini: priten ndryshime në drejtorinë e festivalit

24.08.2017 18:25

Mbrëmë filloi edicioni i 56 i Mbrëmjeve strugane të poezisë, ndërkaq për të katërtën herë me radhë në këtë festival anashkalohet gjuha shqipe...

Petrit Saraçini - këshilltar në Ministrinë e Kulturës, thotë se drejtori aktual i “Netët strugane të poezisë”, Mite Stefoski, është me mandat të skaduar tashmë sa muaj, por Ministria e Kulturës gjatë periudhës së zgjedhjeve nuk mund të hapë procedurë për drejtues të rinj të këtij manifestimi.
 
Saraçini njëherit thekson se politikat e Ministrisë së Kulturës do të jenë në frymë multikulturaliste, prandaj pas përfundimit të zgjedhjeve lokale do të hapet ky proces. 
 
“Drejtori aktual i festivalit është me mandat të skaduar, ka disa muaj. Ne si ministri, për shkak të ndalesave për shpallje të konkurseve për punësim dhe emërim të drejtorëve të rinj në institucionet kombëtare të kulturës, gjatë periudhës së zgjedhjeve, sipas kodit zgjedhor, nuk kemi mundësi të hapim procedurë për drejtues të ri të këtij manifestimi. Ministri Allagjozovski e ka cekur disa herë në opinion se politikat e reja të Ministrisë së Kulturës do të jenë në frymë multikulturaliste, presim që pas mbarimit të zgjedhjeve të hapim këtë proces dhe shpresojmë sinqerisht se propozimet e kandidatëve dhe të programeve të tyre do të reflektojnë këtë parim të politikave të reja kulturore. Po ashtu, shpresojmë se shumë prej gjërave, në kontekst të përdorimit të gjuhëve të komuniteteve, do të qartësohen së shpejti pas sjelljes së ligjit të ri për përdorimin e gjuhëve”,- deklaroi këshilltari në Ministrinë e Kulturës, Petrit Saraçini.
 
Edhe përfaqësuesit e pushtetit lokal të Strugës pikërisht për shkak të mospërdorimit të gjuhës shqipe në këtë festival, tërësisht e bojkotojnë festivalin. 
 
FJOLLA TELAI