Junker: Perspektiva e vendeve të Ballkanit është në BE

13.09.2017 13:04

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka mbajtur fjalimin e tij vjetor për gjendjen e Unionit...

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka mbajtur fjalimin e tij vjetor për gjendjen e Unionit para deputetëve të Parlamentit Europian në Strasburg, në të cilin ka folur për vizionin e tij për të ardhmen e BE-së. Ai në këtë fjalim përmendi edhe zgjerimin, duke thënë se “nëse duam paqe në fqinjësi, duhet të mbajmë perspektivë të besueshme të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor”.
 
Ai përsëriti se nuk do të ketë zgjerim deri në fund të mandatit të tij, sepse asnjë nga vendet kandidatë nuk do të jetë i gatshëm për anëtarësim. Por, në vitet pas këtij mandati, sipas tij, Bashkimi Europian do të ketë më shumë se 27 anëtarë, sa ka aktualisht. Juncker rikujtoi se shtetet kandidate duhet t’i përmbushin kriteret, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore.
 
Kjo, sipas tij, do të thotë se Turqia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së në një të ardhme të afërt, sepse nuk respekton vlerat e lirisë dhe sundimin e ligjit. Ai ftoi Turqinë që t’i lirojë të gjithë gazetarët europianë që mban në arrest, por edhe të gjithë gazetarët tjerë.Po ashtu, ka ftuar Turqinë që t’i ndërpresë akuzat për fashizëm ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Presidenti i Komisionit Europian, duke folur për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja tha se ky shtet do të pendohet për një veprim të tillë.
 
Ai tha se pranvera e vitit 2019, kur Britania do të duhej të largohej nga BE-ja, do të jetë një datë tragjike. Por, shtoi ai, Europa e 27 vendeve anëtare do ta shfrytëzojë këtë rast për të ndërtuar një të ardhme të qartë të Bashkimit Europian. Juncker bëri ftesë për më shumë solidaritet rreth migrimit dhe ftoi që të gjithë ata, të cilët nuk i përmbushin kushtet për strehim në BE të kthehen në vendet e tyre.