Zgjedhjet lokale, MIA - artikuj falas për ueb portalet, KEM dhe ShGM: Vetërregullim, nuk duhen ligje për standarde etike

13.09.2017 17:06

Në prag të zgjedhjeve lokale dhe me qëllim të respektimit të standardeve gazetareske gjatë raportimit....

Në prag të zgjedhjeve lokale dhe me qëllim të respektimit të standardeve gazetareske gjatë raportimit, ueb portalet do të mund të përdorin artikuj falas nga Agjencia e Lajmeve MIA. Shërbimet falas për ueb portalet kanë për qëllim të përforcojnë raportimin profesional gjatë fushatës zgjedhore.

“Me këtë mënyrë dëshirojmë t’i ndihmojmë ueb portalet të cilat nuk janë në gjendje kuadrovike dhe financiare e që në ndërkohë dëshirojnë të kapin veten dhe t’u afrohen lexuesve duke pasur informacione të sakta dhe të verifikuara e jo me gënjeshtra”,- deklaroi drejtori i Agjencisë Informative MIA, Dragan Antonovski.

Për Shoqatën e gazetarëve dhe Këshillin për etikë në media, kjo nisëm është hap i mirë për përmirësimin e gjendjes në media, por ata kërkojnë vendosjen e kritereve elementare për ueb portalet dhe zbatimin e vetërregullimit mediatik.

Këshilli i etikës veç më po punon për përgatitjen e udhëzimeve dhe parime për ueb portalet, me qëllim që të përcjellim një mesazh të përbashkët, se ne po punojmë për interesin publik dhe se do të punojmë në kuadër të standardeve gezatareske”,- tha drejtoresha e KEMM-së, Marina Tuneva.

“Filozofia jonë është se kjo çështje mund të zgjidhet përmes vetërregullimit, sepse standardet etike nuk mund të jenë objekt i rregullimit me ligj. Është përgjegjësi dhe obligim i gazetarëve dhe punonjësve të mediave që çështjet etike të gazetarisë të zgjidhen brenda bashkësisë sonë, e jo të lejojmë që politika të ndërhyrë në këtë çështje”,- theksoi kryetari i ShGM-së, Naser Selmani.

Shërbimi falas i furnizimit me lajme nga MIA do të zgjasë deri në përfundimin e zgjedhjeve lokale, mjafton që ata që e shfrytëzojnë këtë shërbim të citojnë burimin e të mos shtrembërojnë apo ndryshojnë përmbajtjen. (Rexhep Qamili, TVM2)