Botë

Zgjerimi i BE-së, Juncker: Ballkanit t’i ofrohet perspektivë e besueshme

13.09.2017 17:18

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka mbajtur fjalimin e tij vjetor për gjendjen e Unionit para deputetëve të Parlamentit Europian në Strasburg...

Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, ka mbajtur fjalimin e tij vjetor për gjendjen e Unionit para deputetëve të Parlamentit Europian në Strasburg, në të cilin ka folur për vizionin e tij për të ardhmen e BE-së.
 
Juncker preku në fjalën e tij edhe çështjen e zgjerimit dhe tha se Europa duhet të ndjekë një projekt të besueshëm shtrirjeje lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse nuk do të ketë anëtarësime të reja brenda mandatit aktual të Komisionit, që përfundon në vitin 2019.
 
“Nëse duam më shumë qëndrueshmëri në fqinjësi, atëherë duhet të mbajmë hapur perspektivën e besueshme të zgjerimit për Ballkanin Perëndimor. Asnjë kandidat nuk është ende gati. Por, më pas, BE-ja do të jetë më e madhe sesa 27 në numër. Kandidatët për anëtarësim duhet t’u japin përparësi sundimit të ligjit, drejtësisë dhe të drejtave themelore”,- deklaroi presidenti i KE-së, Jean Claude Juncker.
 
Juncker rikujtoi se shtetet kandidate duhet t’i përmbushin kriteret, sidomos ato që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore. Kjo, sipas tij, do të thotë se Turqia nuk mund të bëhet anëtare e BE-së në një të ardhme të afërt, sepse nuk respekton vlerat e lirisë dhe sundimin e ligjit.
 
Ai ftoi Turqinë që t’i lirojë të gjithë gazetarët europianë që mban në arrest, por edhe të gjithë gazetarët tjerë.
 
Po ashtu, ka ftuar Turqinë që t’i ndërpresë akuzat për fashizëm ndaj shteteve anëtare të Bashkimit Europian. Presidenti i Komisionit Europian, duke folur për largimin e Britanisë së Madhe nga BE-ja tha se ky shtet do të pendohet për një veprim të tillë.
 
Juncker bëri ftesë për më shumë solidaritet rreth migrimit dhe ftoi që të gjithë ata, të cilët nuk i përmbushin kushtet për strehim në BE, të kthehen në vendet e tyre.
 
U bëri ftesë shteteve anëtare që më shpejt të shkëmbejnë të dhënat për luftëtarët e huaj dhe të dyshuarit për terrorizëm.
 
Për të pasur më shumë efikasitet në politikën e përbashkët të jashtëm, BE-ja duhet të ketë edhe disa fusha ku vendimet në Këshill do të miratohen me shumicë të kualifikuar e jo vetëm me konsensus.
 
GYLTENE SINANI