Agjencia për Punësim heton keqpërdorimet, ish-drejtoresha shoping me paratë e QPSh-së

13.09.2017 18:08

Çorape për meshkuj, letra higjienike, kozmetikë, deodorant, qumësht për trup....

Çorape për meshkuj, letra higjienike, kozmetikë, deodorant, qumësht për trup, patatina, cigare, kackavall të përzier, vezë të pulave japonezë, pije të ndryshme, pemë, salmon, arra, fëstëkë e gardërobë, janë këto vetëm disa nga produktet  e blera të cilat i ka blerë në llogari të Qendrës për Punësim në Shkup në kuadër të Agjencisë për Punësim ish-drejtuesja e saj, Sllobodanka Aleksovska.

Mbi 400 mijë denarë harxhime në 2016, mbi 110 mijë denarë në 6 muajt e parë të 2017, janë harxhimet e dedektuara për nevojat personale dhe familjare të ish-drejtoreshës.

“Aleksovska, nga buxheti i këtij institucioni në vitin 2016 ka harxhuar 429.597 denarë, ndërsa në pjesën e parë të këtij viti ka harxhuar 116.625 denarë për nevojat e saj personale dhe familjare nëpër markete, barnatore, tregje e te ngjashme. Në kundërshtim me Rregullin për shfrytëzimin e automjeteve motorike zyrtare, Aleksovska ka shfrytëzuar dy automjete jashtë orarit të punës, pas orës 16 e 30 minuta edhe atë gjatë fundjavave, gjatë shfrytëzimit të ditëve të lira dhe gjatë shfrytëzimit të pushimit vjetor”,- deklaroi drejtoresha e Agjencisë Për Punësim, Biljana Jovanovska.

Nga buxheti i Agjencisë, Aleksovska ka shpenzuar mjete për taksa rrugore dhe për parking jashtë orarit të punës gjatë ditëve jopune dhe në orët e vona të natës. Gjithashtu, për shërbime hotelierike ka bërë llogari në shuma mbi 6.000 denarë në orët e vona të natës dhe gjatë fundjavave.

Në pajtim me rregullat ligjore, Aleksova është suspenduar nga pozita drejtuese e Qendrës për Punësim të Qytetit të Shkupit dhe është sjellë vendim për ngritjen e procedurës disiplinore e cila do të vazhdojë pas përfundimit të zgjedhjeve.

Në vijim është kompletimi i dokumenteve të nevojshme për parashtrimin e kallëzimit penal për vepra të kryera penale nga Aleksovska.

Rishikimi për vitet para 2016 akoma nuk është bërë, por Jovanovska paralajmëron se do të hetohen me kujdes të gjithë drejtuesit e Agjencisë. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)