Ligji për gjuhët: Nesër në seancë, VMRO okupon foltoren

13.09.2017 18:14

Projektligji për përdorimin e gjuhëve u fut në rend dite në seancë plenare përkundër rezistencës së opozitës së kryesuar nga VMRO-DPMNE...

Deputetët e partisë së Gruevskit kërkonin me këmbëngulje që projektligji të mos futet në rend dite, përkatësisht të hiqet nga rendi i ditës. Mirëpo të dy propozimet e opozitës u hodhën poshtë nga shumica parlamentare.
 
“Propozoj që pika, pr\ligji për përdorimin e gjuhëve, të hiqet nga rendi i ditës për dy arsye. E para, me vetëdije janë bërë gabime katastrofike në procedurën parlamentare. Dhe, arsyeja e dytë është se një numër i madh i profesorëve, Instituti i maqedonistikës dhe AShAM-i kërkojnë debat të gjerë para se Kuvendi të vazhdojë me procedurën për miratimin e këtij ligji”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
 
“Me vendimin që Kuvendi i RM-së e ka marrë më 31 maj 2017 nuk është Komisioni për Çështje Europiane komision amë për Ligjin për përdorim e gjuhëve, por Komisioni për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive”,- tha Antonio Milloshoski nga VMRO-DPMNE.
 
Por, Xhaferi i hodhi poshtë pretendimet e deputetëve të opozitës. Sipas tij, vendimi përcakton kompetencat e Komisionit dhe jo kompetencat e kryetarit të Kuvendit.  
 
“Po, ka vendim dhe ai vendim ka të bëjë me komisionin përkatës dhe jo me kryetarin e Kuvendit. Nëse keni dilemë mund të kërkoni mendim nga komisioni përkatës”,- theksoi kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.
 
Për shkak të kundërshtimeve dhe kërkesave të njëpasnjëshme të opozitës për pauzë, seanca u ndërpre pas miratimit të pikës së parë dhe shqyrtimi i propozim ligjit për përdorim e gjuhëve në seancë plenare do të fillojë të enjten.
 
Paraprakisht, ligji mori dritë jeshile edhe në Komisionin për Sistem Politik dhe Marrëdhënie mes Bashkësive.   
 
SHPËTIM NUREDINI