Zgjedhjet, nesër listat përfundimtare; Analistët: luftë ripozicionimi për partitë

13.09.2017 18:29

Zgjedhjet lokale, rëndësia e tyre, strategjitë dhe kuadrot me të cilat do të futen....

Zgjedhjet lokale, rëndësia e tyre, strategjitë dhe kuadrot me të cilat do të futen në garë zgjedhore partitë politike ishin pjesë e analizës në emisionin debativ të TVM-2 Argument. 

Ekspertit juridik Naser Zyberi thotë se në këto zgjedhje do të zhvillohet një garë e pakompromis midis forcave politike për të ripozicionuar legjitimitetin e tyre pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Kandidimin e bartësve të funksioneve të caktuara nëpër komuna ai e sheh si diskutabile pasiqë sipas tij mundësia e ndikimit politik nuk është në komunë por në institucionet qëndrore.

“Juridikisht kjo nuk është e ndaluar, politikisht është çështje diskutabile sepse për bindjen time mundësitë për të ndikuar politikisht janë më të mëdha në qeverinë parlament se sa në pushtetin lokal. Në qoftë se një kryetarë partie dëshiron që të imponohet me politikat e tij me partinë e tij kuptohet se ai nuk mund të kufizohet vetëm në komunën prej ku ai vjen, përkundrazi ndikimi i tij duhet të jetë në parlament dhe në qeveri, në krijimin e politikave shtetërore jo atyre komunale” – tha ekspert juridik, Naser Zyberi.

Për politikologen Gjyla Çeliku përfaqësimi gjinisë femrore nëpër partitë politike shqiptare është vetëm sipërfaqësorë. Sipas saj atë që nuk po e bëjnë partitë politike shqiptare po e bëjnë të tjerët.

“Çfarë bëjnë partitë tona shqiptare  në R.M, gratë e guximshme i  lënë anash i marrin grate që ju shkojnë për qefi dhe të cilat ju rrinë akoma më poshtë se burrave të tyre në shtëpi, zërin nuk e ngrejnë për asnjë akt për asnjë vendim që marrin partitë e tyre. Kjo është situatë për ta vajtuar. Hapat që nuk i bëjnë partitë politike shqiptare i bën zotëri Zaev dhe hallall i qoftë deri sa këta tonët i hapin sytë dhe të shofin se ku duhet femra ta ketë vendin” – u shpreh politikologja, Gjyla Çeliku.

Ndërkohë profesori univerzitar Zimri Elezi vëri në dukje rëndësinë e zgjedhjeve vendore e cila sipas tij zbatohet nëpërmjet cilsisë së kuadrove të cilat i ofrojnë subjektet politike.

“Partitë politike së paku ato që deri më tani kanë qenë në pushtet për së treti herë për së katërti herë kandidojnë të njejtit kandidatë, ajo nuk është demokratike. Ajo shihet se ato parti politike i ka kapluar diktatura, autokracia brendapartiake. Për mua është pak shpresdhënëse se ka kandidatë të cilët i takojnë gjeneratave të reja.Nga mosha 27 deri në moshën 40 vjeçare, janë persona me kredibilitet. Janë njerëz të cilët mund të kontribojnë në këtë aspekt janë dëshmuar për atë kohë që kanë pasur dhe diçka kanë bërë freskim në këtë aspekt” – tha profesori universitar, Zimri Elezi.

Bashkbiseduesit folën edhe për pastrimin e regjistrit zgjedhorë dhe bashkpunimin midis forcave politike shqiptare. Sa i përket bashkpunimit sipas Naser Zyberit mosmobilizimi i elektoratit shqiptarë e vë në rrezik fitoren e kandidatit shqiptarë në Komunën e Kërçovës dhe atë të Strugës dhe në qoftë se kjo do të ndodhë do të jetë drejtpërdrejt pasojë e mosbashkpunimit të tyre nënvizoi ai. (Naim Ramadani, TVM2)