Ligji për gjuhët, tensione në Kuvend, VMRO okupon foltoren, Xhaferi iu mëson sjelljen

13.09.2017 18:30

Pasi paraprakisht iu refuzua kërkesa për tërheqjen e Ligjit për gjuhët....

Pasi paraprakisht iu refuzua kërkesa për tërheqjen e Ligjit për gjuhët, deputetët e VMRO-DPMNE-së okupuan foltoren në Kuvend. VMRO kërkoi pauzë, kryeparlamentari lexonte rendin e ditës që duhej votuar.

Rrëmuja zgjati minuta të tëra. VMRO akuzoi Xhaferin se po shkel kushtetutën dhe rregulloren.

“Po shkelni rregulloren, po shkelni kushtetutën, po shkatërroni Marrëveshjen e Ohrit! Zoti Xhaferi, ju jeni i obliguar të jepni pauzë! Mos e shkelni rregulloren, jepni pauzë!”,- deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.

Kryeparlamentari, Talat Xhaferi, i akuzoi deputetët e opozitës se dëshirojnë me dhunë të bëjnë ndryshime. Edhe përskaj faktit se nuk iu takon, ai dha pauzë prej një ore.

“Duhet të respektohen rregullat! Kolegu i nderuar, Dimovski, kërkoi fjalë që zgjat 3 minuta. Koha kaloi disa here, i thash faleminderit dhe në fund të 3 minutëshit kërkoi pauzë. Prandaj konsiderova se nuk ka nevojë të jap pauzë. Por, edhe nëse është ashtu, nuk duhet të imponohet vendimi përmes presionit dhe  shantazhit. Edhe përskaj kësaj, vendosa t’u jap pauzë në kohëzgjatje prej një orë”,- u shpreh kryeparlamentari, Talat Xhaferi.

Xhaferi përkujtoi kolegët nga opozita në premtimin e dhënë më 27 prill, kur mori funksionin e kryeparlamentarit, se ose Kuvendi do të bëhet ashtu siç i ka hije ose nuk do ketë Kuvend. (Flutura Latifi, TVM2)