Mianmar, mbytet varka, 11 të zhdukur dhe 2 fëmijë të vdekur

13.09.2017 18:46

Një varkë që transportonte myslimanë Rohingya, që iknin nga Mianmari....

Një varkë që transportonte myslimanë Rohingya, që iknin nga Mianmari nga dhuna e ushtrisë dhe budistëve radikalë në Arakan, është përmbytur në lumin Naf, në kufirin me Bangladeshin, duke lënë dy fëmijë të vdekur.

Autoritetet thonë se në varkë ishin 18 pasagjerë dhe ende ka 11 të zhdukur. Që nga 25 gushti, më shumë se 370 mijë myslimanë Rohingya kanë kaluar në Bangladesh nga shteti perëndimor Arakan në Mianmar, ka njoftuar OKB-ja.

Nga 29 gushti deri më 11 shtator, gjithsej 20 anije janë përmbytur, ndërsa janë gjetur 96 trupa të pajetë, 53 prej të cilëve fëmijë. Rreth tre mijë Rohingya janë vrarë nga sulmet e ushtrisë dhe budistëve radikalë.

Mes kritikave ndërkombëtare në rritje për qasjen e saj ndaj dhunës në Mianmarin perëndimor, që detyroi më shumë se 3790 mijë myslimanë Rohingya të ikin në Bangladesh, presidentja, Aung San Suu Kyi, anuloi pjesëmarrjen në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Fituesja e çmimit Nobel mbahej si ikonë e demokracisë për shkak të burgosjes së saj dhjetëra vjeçare nën sunduesit e mëhershëm ushtarak të Mianmarit. Por, indiferenca e saj ndaj gjendjes së rohingyave në shtetin Rakhine – duke hedhur poshtë raportimet për situatën si “informacione të rrejshme” në interes të “terroristëve”, – nxiti përçmimin nga qeveritë dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, përfshirë edhe një numër të fituesve të çmimit Nobel për paqe.