Maqedoni

Kumanovë, protesta para tregut, tregtarët nuk duan të paguajnë për tezga

13.09.2017 19:02

Dhjetëra “pazarxhinj” kanë bllokuar rrugën para tregut të qytetit në Kumanovë në shenjë revolte...

Dhjetëra  “pazarxhinj” kanë bllokuar rrugën para tregut të qytetit në Kumanovë në shenjë revolte, pasi që organet kompetente nuk u lejojnë ekspozimin e mallrave të tyre për shitje në hapësirat para Tregut të gjelbër. Ata për rreth një ore bllokuan rrugën duke paralizuar trafikun në këtë pjesë të qytetit.
 
“Pazarxhinjtë” janë të pakënaqur që pikërisht në sezonin kur duhet të fitojnë ndonjë denarë për të mbajtur familjet e tyre, nuk lejohen nga inspeksioni që t’i ekspozojnë mallrat e tyre.
 
“Unë e kam prodhimin tim. Me spec, me domate po kalben. Shalqiri më ka mbet në arë. Policia e inspeksioni na detyrojnë të futemi brenda. Vitin e kaluar ma kanë marrë mallin këtu te dera me traktorë. Kam dënime për të paguar. Kam rrymë, ujë, kurse askënd nuk e kam të punësuar. Dy veta i kam të sëmurë në shtëpi”,- u shpreh një shitës ambulant. 
 
“Të gjendet vend se ku t’i ekspozojmë mallrat. Kam sjellë një kovë domate, dhjetë herë më detyrojnë të futem brenda në treg. Turp është kjo. Mendoj se duhet ta dimë vendin ku të shesim”,-  tha një shitës ambulant.
 
“Unë tri ditë grumbulloj speca, ku t’i dërgoj? Këtu vijmë sikur t’i kishim vjedhur”,- theksoi një shitës ambulant.
 
Ndërkohë që Ilir Sahiti, drejtor i NP “Tregu”, për programin tonë deklaroi se “Dyert e tregut janë të hapura  për të gjithë dhe çdo i interesuar  mund të marrë tezgë me qera për të ushtruar këtë veprimtari.
 
Ndërkaq, sa i përket intervenimit të organeve kompetente jashtë hapësirave të tregut, nuk është në kompetencat tona, pasi që inspektorati dhe policia kryejnë punën e tyre”.
 
Protestuesit paralajmëruan se me protestat e tyre do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim derisa të plotësohen kërkesat e tyre.
 
NEXHAT AQIFI