Botë

ShBA, Trump dhe demokratët arrijnë marrëveshje për emigrantët

14.09.2017 11:26

Dy krerë demokratë arritën me presidentin, Donald Trump, një marrëveshje që mbron nga deportimi mijëra emigrantë të rinj pa dokumente të rregullta...

Është rënë gjithashtu dakord të punohet për një paketë sigurie kufitare, e cila nuk përfshin propozimin e Trumpit për ngritjen e murit të shumëdiskutuar në kufi me Meksikën. Shtëpia e Bardhë megjithatë mohon që muri të përjashtohet nga propozimet e paraqitura.
 
Më e rëndësishmja për momentin është çështja e skemës DACA, e miratuar në kohën e Barack Obamas, një projekt që i ofronte mbështetje të rinjve të dërguar ilegalisht në Amerikë prej prindërve të tyre që fëmijë. Në fillim të muajit, Trump vendosi mbylljen e programit që mbron gati 800 000 vetë në ShBA, të cilëve u ofron njëkohësisht mundësi punësimi e studimi.
 
Presidenti deklaroi në 4 shtator se skema do të mbyllej dhe Kongresit i la 6 muaj kohë në dispozicion për gjetjen e një plani zëvendësues. Presidenti tashmë pranoi që parimet mbrojtëse të DACA-s të bëhen pjesë e një legjislacioni të ri, e kjo është e pranueshme për të dyja palët.