Zaev në Turqi: Bashkëpunimi ekonomik, temë qëndrore e takimeve

12.02.2018 18:06

Përforcimi i miqësisë si dhe rritja e bashkëpunimit në sferën ekonomike dhe i tregtisë mes dy vendeve ka qenë marrëveshja kyçe e kryeministrit, Zoran Zaev...

Përforcimi i miqësisë si dhe rritja e bashkëpunimit në sferën ekonomike dhe i tregtisë mes dy vendeve ka qenë marrëveshja kyçe e kryeministrit, Zoran Zaev, me homologun e tij të Turqisë, Binali Jëlldërim. Investimet dhe anëtarësimi në NATO janë qëllim strategjik i yni dhe çdo përkrahje e Turqisë në këtë drejtim është për t’u vlerësuar, ka deklaruar kryeministri, Zoran Zaev.
 
“Biseduam për intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik mes Turqisë dhe Maqedonisë. Ekziston interesim i madh i kompanive turke për investim në Maqedoni, sidomos pas stabilizimit të planit politik dhe hapjes së perspektivës së shtetit tonë drejt integrimit në NATO dhe BE”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Shqyrtuam mundësinë për rritjen e investimeve, tha kryeministri turk, Binali Jëlldërëm. Ai paralajmëroi investim prej 45 milion euro nga kompania TAV në Maqedoni.  
 
“U dakorduam se duhet të shtohen  marrëdhëniet mes Turqisë dhe Maqedonisë në nivelin e kërkesës së tregut që nuk është i mjaftueshëm për momentin dhe duhet të rriten në 1 miliard euro, që është edhe qëllimi ynë kryesor. Kryeministri Zaev do ta hapë rrugën edhe për investime të reja”,- theksoi kryeministri i Turqisë, Binali Jëlldërëm.
 
Lidhur me kontestin e emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, të dy kryeministrat ranë dakord se me dialog zgjidhet çdo kontest, por kryeministri turk përkujtoi se nuk mundet një vend të vendosë për emrin e një vendi tjetër.
 
“Emrin e një shteti e përcakton vetë shteti dhe nuk mund të vendosë asnjë shtet tjetër. Kjo është shumë e gabuar. Problemet që janë me Greqinë mendoj se mund të zgjidhen me bisedime, me vullnet dhe qëllim të mirë”,- u shpreh kryeministri i Turqisë, Binali Jëlldërëm.
 
“Turqia, si mike, përkrah zgjidhje të pranueshme për të dyja palët, sepse realisht është zgjidhje e vetme e mundshme për rrugën tonë për në NATO dhe në BE. Besoj se me përkrahjen e shteteve të mëdha mike të Maqedonisë do të gjendet zgjidhje për këtë problem shumëvjeçar”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Zaev u zotua se do t’i japë përkrahje të plotë Turqisë në luftën kundër  terrorizmit dhe strukturës terroriste FETO që zhvillohet në Maqedoni, duke respektuar ligjet dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Zaev ka realizuar takim njëorësh edhe me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, me kryetarin e Parlamentit, Ismail Kahraman, si dhe me biznesmenët turq.
 
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU