Botë

Cikloni “Gita”, era arrin në 230 km/orë, shkatërrim në Tonga

13.02.2018 12:00

Cikloni “Gita” ka shkatërruar pothuajse tërësisht kryeqytetin e Tongës. Era arriti shpejtësinë 230 kilometra në orë teksa u përplas mbi mbretërinë e Tongës në Peleponez...

Për fat të mirë nuk ka viktima, por ka mjaft banorë të lënduar. Cikloni “Gita”, një stuhi e kategorisë së katërt, u përplas mbi ishull gjatë natës e shkaktoi dëme të konsiderueshme. Erërat e forta kanë shkulur çatitë e disa shtëpive, ndërsa linjat e rrëzuara të energjisë elektrike lanë zona të tëra në errësirë.
 
Stuhia më e ashpër në 60 vite që përplaset mbi Tonga, e ka rrafshuar krejtësisht ndërtesën e drunjtë të Parlamentit, në vendin e vogël në jug të Paqësorit, një ndërtesë më shumë se 100-vjeçare. Për momentin nuk dihet se ku do të mblidhen deputetët vendas, ndërkohë që godina do të rindërtohet.
 
Qeveria kishte shpallur gjendjen e jashtëzakonshme që përpara mbërritjes së stuhisë dhe kishte ngritur qendra emergjence, ku mijëra persona e kaluan natën. Menjëherë drejt Tongës janë nisur avionë me ndihma humanitare. Zelanda e Re ka lëshuar një fond ndihme prej 440 mijë eurosh dhe ka vënë në gatishmëri forcat ushtarake, nëse qeveria në Tonga kërkon ndihmën e tyre.
 
BELINDA KOKA-ADEMI