Kulturë

Kosova - 10 vjet pavarësi, Serbia kurrë nuk kërkoi falje për gjenocidin

14.02.2018 17:53

“Kundër harresës - gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, libri i autores, Fetnete Ramosaj, që u promovua sot në Shkup...

“Kundër harresës - gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, libri i autores, Fetnete Ramosaj, që u promovua sot në Shkup, synon të sjellë argumente të pathëna më parë, ose të thëna por të harruara, rreth krimit masiv dhe sistematik që ka kryer shteti serb mbi shqiptarët e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.
 
Ramosaj theksoi se krahas shumë masakrave, shteti serb asnjëherë nuk u ndëshkua për të bëmat e veta. 
 
“Këto akte të mëhershme gjenocidiale që janë përfshirë në këtë monografi, janë përfshirë për të argumentuar gjenocidin që e ka krijuar Serbia ndaj popullit shqiptar në të gjitha trevat etnike shqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Maqedoni, edhe në Kosovën lindore, edhe në pjesën e Shqipërisë, çdoherë që u është dhënë rasti”,- tha autorja e librit, Fetnete Ramosaj.
 
Krime të tilla theksojnë nevojën që Kosova të miratojë rezolutë me të cilën do ta detyronte Serbinë të kërkojë falje për masakrat që i ka bërë ndaj shqiptarëve të Kosovës. 
 
“E shohim që në Kosovë merren me çështje parciale për flamuj dhe nuk merren me çështjen parësore që do t’i kushtojë shumë Kosovës dhe popullit shqiptar, që nuk e ka hapur në fillet e saj pas pavarësisë së Kosovës çështjen dhe argumentimin e masakrave që i ka ushtruar shteti i Serbisë në Kosovë, sepse kjo do të ishte në favor të çështjes shqiptare në avancimin e bisedimeve me Serbinë”,- theksoi kryetari i ITShKShM-së, Skender Hasani.
 
“Përmes librave, sot më shumë se kurrë është e nevojshme që të rinjtë të dinë dhe ta kuptojnë historinë. Është e vetmja mënyrë për të shpresuar që ai tmerr i përjetuar të mos përsëritet dhe e vetmja mënyrë për dalë nga errësira në dritë”,- deklaroi kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu.
 
Promovimi i këtij libri u organizua në vigjilje të dhjetë vjetorit të pavarësisë së shtetit të Kosovës. 
 
ERSAN PAJAZITI