Maqedoni

Emri, intensifikohen bisedimet, Boshnjakovski: Presim kompromis me dinjitet

14.02.2018 17:58

Shkupi dhe Athina kanë intensifikuar negociatat për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët...

Megjithatë palët janë të rezervuara dhe nuk ndajnë detaje me opinionit. Përveç informacionit që ka dakordësi që negociatat duhet të mbeten nën patronatin e OKB-së dhe se kërkohet zgjidhje dinjitoze e pranueshme për të dyja palët, nuk jepet asnjë detaj tjetër.     
 
“Nga fillimi i kësaj jave hyjmë në fazën intensive të bisedimeve, MPJ e RM-së por njëkohësisht edhe MPJ e Greqisë lëshuan kumtesë pas takimit dhe ato janë informatat për opinionin që procesi i bisedimeve të mos dëmtohet, kahja është e njëjtë. Presim kompromis të ndërsjellë, zgjidhje të pranueshme për të gjithë, me dinjitet”,- u shpreh zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski.
 
Edhe zëdhënësi i Qeverisë greke, Dimitris Xanakopulos, nuk ndan detaje rreth bisedimeve por shpreh optimizëm se mund të arrihet zgjidhje e pranueshme për të dyja palët.
 
"Pas takimit të djeshëm negociatat vazhdojnë në bazë të kornizës që është vendosur me fqinjët tanë. Punojmë me qëllim që të arrihet marrëveshje për emër të përbërë që do vlejë për të gjithë dhe për përdorim të përgjithshëm, për çka parakusht është rishikimi kushtetues tek fqinji, posaçërisht lidhur me emrin kushtetues",- tha Dimitris Xanakopulos për radion greke.
 
Një ditë më parë, shefat e diplomacive të të dy vendeve dhe ndërmjetësi, Metju Nimic, u takuan në Vjenë të Austrisë, ndërsa pas takimit kumtuan se gjetja e zgjidhjes së pranueshme për tejkalimin e dallimeve rreth emrit duhet të jetë edhe më tej nën patronazhin e KB-së.
 
SHPËTIM NUREDINI