Rasti “Trajektorja”, Gruevski: Gjykata punon nën presion politik

14.02.2018 18:03

Vazhdon maratona e kërkesave dhe parashtresave të avokatëve mbrojtës në rastet e ngritura nga PPS...

Kjo ndodhi edhe në seancën për rastin “Trajektorja”, gjatë së cilës avokatët mbrojtës dhe të akuzuarit i kërkuan procesverbalet e seancës së kaluar, këmbëngulën që audio-incizimet të refuzohen si dëshmi materiale, madje i akuzuari i parë, ish-kryeministri Gruevski, vazhdoi akuzat se gjykata nuk ndan njësoj drejtësi dhe punon nën presion politik.
 
Gruevski thotë se nuk ka trajtim të njëjtë si Zaevi nga gjykata, kërkoi hedhjen poshtë të dëshmive nga porositë SMS, për të cilat thotë se janë lehtë të manipulueshme dhe ato mund të jenë ndryshuar gjatë kohës kur materialet e përgjuara ishin në duart e LSDM-së.  
 
“Përshtypja nga të gjitha gjykimet deri më tani është se nuk ka shans për procese të drejta gjyqësore. Luftojmë për të drejta elementare që na i mundëson ligji, e lëre më kur të vijnë gjërat thelbësore të lidhura me këto raste. Mund të them se gjyqësori është shndërruar në ajkë klasike politike, ku shohim një gjykatë të uzurpuar, gjykatës që janë në situatë të papërshtatshme, pasi që është kryer shtypje ndaj tyre. Ata janë të vetëdijshëm se për disa raste veprojnë në mënyrë joligjore”,- deklaroi i akuzuari, Nikolla Gruevski.
 
Gjykatësi, Goran Boshevski, përkujtoi mbrojtjen se procesverbalet mund t’i tërheqë në sportelet e gjykatës, ndërsa sa u përket audio-incizimeve, pavarësisht që janë krijuar në mënyrë joligjore, megjithatë nga PPS janë dorëzuar në mënyrë ligjore dhe mund të shfrytëzohen në procedurë.
 
Sipas prokurores speciale, Lile Stefanovski, vërejtjet e mbrojtjes kanë si qëllim anulimin e seancave, por gjykata është e detyruar të mundësojë të vijojë pa penguar debatin kryesor.
 
Ish-kryeministri Gruevski, ish-ministrat, Janakievski dhe Peshevski, dhe ish-drejtori i Agjencisë për Rrugë Shtetërore, Georgievski, akuzohen në rastin “Trajektorja” se kanë tejkaluar autorizimet ligjore në zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradave Mlladinovcë -Shtip dhe Kërçovë - Ohër e gjatë vitit 2012 - 2013 duke dëmtuar buxhetin shtetëror për 155 milionë euro.
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI