Maqedoni

Autostrada Maqedoni – Kosovë, Beqaj: Gjeni qartësi politike e ekonomike, ndërtojeni

14.02.2018 18:06

Bashkëpunimi ekonomik mes Maqedonisë dhe Kosovës duhet çuar në një stad më të lartë...

Kështu u dakorduan ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe ministri për inovacioneve dhe ndërmarrësi në Qeverinë e Kosovës, Besim Beqaj. Por, padyshim që për rritjen e këtij bashkëpunimi duhen krijuar kushte. Beqaj pret që Maqedonia në periudhë sa më të shkurtë kohore të nisë ndërtimin e autostradës që do të lidh Kosovën dhe Maqedoninë, me qëllim të maksimalizimit të bashkëpunimit ekonomik. Ministri Bekteshi premton se punët për autostradën do të nisin vitin që vjen. 
 
“Kosova është duke bërë një investim jashtëzakonisht të madh dhe kjo do t’i ndihmonte shumë Maqedoninë. Besoj që Maqedonia do të ketë qartësi edhe politike dhe ekonomike, që këtë rrugë ta përfundojë sa më shpejt, sepse riorientimi ekonomik prej momentit  kur rruga ka shkuar në tjera orientime ka pasur dhe efekte negative në këmbimet tona tregtare. Ne duhet ta rrisim bashkëpunimin ekonomik përmes infrastrukturës. Faza tjetër që duhet të fillojë që nga momenti kur krijohet infrastruktura rrugore është përgatitja e bashkëpunimit mes doganave dhe administrative tona. Ne duhet të krijojmë hapësira të kalimeve kufitare pa procedura burokratike të cilat do të shkojnë drejtpërdrejt në rritje të konkurrencës së dy vendeve tona”,- u shpreh ministri i ndërmarrësisë dhe inovacioneve të Kosovës, Besim Beqaj.
 
“Në seancën e djeshme të qeverisë ne kemi caktuar afate kohore se deri kur duhet të kryhet autostrada Shkup - Bllacë dhe kjo autostradë të kryhet pasi që është një rëndësi e veçantë për komunitetin e biznesit të RM-së dhe lidhjen me Kosovën. Kjo  autostradë do të fillojë të ndërtohet gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit të ardhëm”,- u shpreh ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Dy ministrat janë dakorduar të krijojnë grupe pune dhe të shpeshtojnë takimet jo vetëm mes qeverive por edhe me komunitetet e biznesit.
 
GAZMEND REXHEPI