Botë

10 vjet Pavarësia e Kosovës, mungon flamuri kombëtar, reagime të shumta

14.02.2018 18:30

Në prag të 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, me vendim të qeverisë është hequr flamuri shqiptar te rrethrrotullimi në hyrje të Prishtinës, i vendosur nga komuna, ku është vendosur flamuri shtetëror. ...

“17 shkurti është data më e madhe e Kosovës dhe ajo do të nderohet në mënyrën më dinjitoze”, ka thënë kryeministri Haradinaj duke arsyetuar vendimin. Por, me një vendim të tillë nuk janë pajtuar nga komuna e Prishtinës dhe Lëvizja Vetëvendosje. Në një reagim të saj kjo lëvizje ka dënuar heqjen e flamurit kombëtar shqiptar duke e quajtur përpjekje “për ta fshirë shqiptarizmin nga faqja e Kosovës”.
 
“Flamuri zyrtar i ka vendet e veta ku ngrihet siç parashikohet në ligj, po ashtu i ka vendet ku sipas protokollit ngrihet në raste festash. Por, në asnjë ligj apo rregullore nuk parashikohet që të ngrihet flamuri zyrtar te rrethi “Idriz Seferi”, në hyrje të Prishtinës, as në përditshmëri e as në raste festash”, konsiderojnë nga Lëvizjes Vetëvendosje.
 
Edhe qytetarët e Prishtinës të mbledhur te vendi ku u hoq flamuri kombëtar, thotë se përveç flamurit të Kosovës duhet të vendoset edhe flamuri kombëtar shqiptar.
 
“Propozoj që brenda 24 orësh të vendoset flamuri kombëtar atje për të pasur populli qetësi sepse populli është i mllefosur”,- deklaroi një qytetar.
 
Flamuri shqiptar është zëvendësuar me atë shtetëror mbrëmë gjatë natës, ndërsa siç njoftohet nga mediat në Kosovë në shenjë revolte një grup të rinjsh në Gjilan kanë djegur flamurin shtetëror.
 
GYLTENE SINANI