Kulturë

ITKShShM, u promovua libri “Shkupi për vitin e Skënderbeut”

02.03.2018 15:22

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni promovoi librin “Shkupi për vitin e Skënderbeut (1468- 2018)”...

Instituti për Trashëgimi Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoni promovoi librin “Shkupi për vitin e Skënderbeut (1468- 2018)”, në të cilin janë përmbledhur aktivitete për shënimin e 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit.
 
Ky libër u promovua pikërisht në një datë historike për shqiptarët, atë të Kuvendit të Lezhës dhe krijimit të Besëlidhjes shqiptare, kur Skënderbeu bashkoi të gjitha principatat e Arbërit.
 
Ky libër do të shërbejë si dokument për të vërtetuar ngjarjet me rëndësi kombëtare që janë organizuar në këto treva, theksoi kryeparlamentari, Talat Xhaferi, dhe zëvendësministri, Arbër Ademi. 
         
“Qëllimi kryesor është promovimi i shënimit të 17 janarit si datë fillestare që u mbajt në parlament dhe gjithë ato fjalime dhe trajtime të çështjeve të caktuara janë përmbledhur në një botim të përbashkët, i cili do të mbetet në trashëgiminë tonë që të reflektojë dhe të dëshmojë në të ardhmen për aktivitetet që janë ndërmarrë në këto hapësira”,- tha kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi. 
 
“Besëlidhja e Lezhës e udhëhequr nga Skënderbeu 574 vite më parë, ishte shembull i bashkimit të forcave dhe mendjeve të princërve të Arbërit për përballje me armiqtë e jashtëm që aso kohe i kanoseshin vendit”,- u shpreh zëvendësministri i Arsimit, Arbër Ademi.
 
Panelistët në këtë ngjarje vlerësojnë se personaliteti i Skënderbeut është shumë i pasur pikërisht në sajë të unifikimit të kombit shqiptar, por edhe më gjerë, në drejtim të mbrojtjes nga armiqtë.   
                                               
“Jorastësisht për t’u mbrojtur nga armiqtë të cilët ishin rreth e përqark Arbërisë iu desh të krijojë një lidhje, e cila do të ishte edhe burim kryesor i forcës së Skënderbeut gjatë 25 viteve, që Skënderbeu me forcën e tij, me virtytet e tij, i bëri ballë të gjithë atyre që ia kishin mësyrë Arbërisë dhe jorastësisht Skënderbeu u bë edhe mbrojtës i Arbërisë, por njëkohësisht edhe i civilizimit europian”,- u shpreh drejtori i ITShKShM-së, Skender Asani.                                                                                       
“Tek figura e Skënderbeut kam mundur të vërej që në vendin të cilin e ka pasur si principatë, pastaj në vendin që e ka bashkuar, ka fituar definicionin e vendit të përbashkët të të gjithë atyre që kanë jetuar aty. Skënderbeu ka qenë ajo figurë që nuk ka bërë dallime se a bëhet fjalë për shqiptarë, maqedonas, vlleh, apo për maqedonas sllavë”,- tha historiani, Vllado Popovski.
 
Aktivitetet në shenjë të vitit të Skënderbeut kanë filluar me mbajtjen e akademisë solemne në Kuvendin e Maqedonisë më datën 17 janar, që simbolizon vdekjen e Skënderbeut, dhe duhet të përfundojnë më 22 nëntor - Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.  
 
ERSAN PAJAZITI