Show Biz

Më të mirët e “Oscar” 2018

05.03.2018 12:51

Një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e filmit, ndoshta më e rëndësishmja, ceremonia e 90’ e ndarjes së çmimeve “Oscar...

Një nga ngjarjet më të rëndësishme në industrinë e filmit, ndoshta më e rëndësishmja, ceremonia e 90’ e ndarjes së çmimeve “Oscar” u zhvillua mbrëmjen e së dielës në Teatrin “Dolby” në Hollywood.

“Oscar” 2018 u përcoll me lëvizjen #MeeToo, përfaqësoi një ngjarje kulturore plot diversitet si dhe pati fjalime që preknin çështjet politike aktuale.

Fituesi i kësaj nate ishte filmi “The Shape Of Water”, i cili rrëmbeu katër çmime, nga 13 sa ishte i nominuar, duke përfshirë këtu edhe çmimin për filmin më të mirë.

Aktorja më e mirë në rolin kryesor ishte Frances McDormand, me rolin e saj tek “Three Billboards Outside Ebbing, Missouri”, dramë e cila trajton luftën e një nëne në kërkim të drejtësisë për vajzën e saj.

Nuk mungoi asnjë fjalim nga ana e saj në përkrahje të grave në industrinë e filmit.

Ky film ishte i nominuar për shtatë çmime “Oscar” dhe u shpërblye edhe në kategorinë e aktorit më të mirë në rol dytësor me Sam Rockwell, i cili portretizon një polic të korruptuar në këtë dramë.

Çmimin për aktorin më të mirë e mori Gary Oldman, me portretizimin e Winston Churchill tek “Darkest Hour”, film ky që mori edhe çmimin për grimin më të mirë. Allison Janney rrëmbeu çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor, me punën e saj tek filmi “I Tonya”.