Ekonomi

Bekteshi: Synojmë tërheqjen e investimeve nga diaspora. Hoxha: Subvencionet të përfundojnë në adresën e duhur

08.03.2018 15:04

Qeveria po shqyrton mundësitë e tërheqjes së diasporës për të investuar në Maqedoni...

Në këtë drejtim është edhe mundësia që mërgimtarët t’i shfrytëzojnë mjetet e parapara me Propozim-ligjin për mbështetje financiare të investimeve, theksoi ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, gjatë takimit me përfaqësuesit e OEMVP-së. Bekteshi po ashtu paralajmëroi se planifikohen edhe motivime shtesë.
 
“Si qeveri e kemi të inkorporuar edhe mbështetjen ndaj bashkëqytetarëve tanë të cilët përkohësisht ndodhen, veprojnë jashtë vendit me të vetmin qëllim, që ata të kenë mundësinë të kthehen në vend dhe të investojnë kapitalet e tyre të arritura jashtë vendit”,- deklaroi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.
 
Kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha, theksoi se është e rëndësishme që plani për rritje ekonomike të realizohet në mënyrë transparente dhe të formohet organ që do ta ndjekë realizimin e mbështetjes dhe të vendosen sanksione për parregullsitë e mundshme.
 
“Gjithsesi përkrahja financiare dhe mjetet që janë të parapara për ndihmë financiare të sektorit ekonomik mendojmë që nuk janë të mjaftueshme, por më e rëndësishme është që këto mjete të jenë të dedikuara në vendin e duhur, në kohën e duhur, në mënyrë që të kemi një benefit nga kjo ndihmë financiare që është e paraparë për kompanitë e vogla dhe të mesme në Maqedoni”,- tha kryetari i OEMVP-së, Nebi Hoxha.
 
Bekteshi dhe Hoxha njëherit u bënë thirrje deputetëve që sa më parë të miratojnë ligjin, në mënyrë që kompanitë të mund t’i marrin subvencionet.
 
ERSAN PAJAZITI