Maqedoni

KShZ ende e pakompletuar, Shabani: kompletimi, kompetencë e Kuvendit. KShZ dhe “Inkluziva”, memorandum për të drejtat e personave me pengesa në shikim

13.03.2018 16:57

KShZ edhe më tej vazhdon të jetë e pakompletuar. Pas dorëheqjes së tetë anëtarëve të saj...

KShZ edhe më tej vazhdon të jetë e pakompletuar. Pas dorëheqjes së tetë anëtarëve të saj, ende nuk ka plotësim të vendeve të lira me anëtarë të rinj.
 
Zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani, thekson se sipas  Kodit Zgjedhor, i cili është në fuqi, zgjedhja e anëtarëve të KShZ-së është në kompetencë të Kuvendit.
 
KShZ tani për tani funksionon vetëm me një anëtare nga Lëvizja Besa, ndërkohë në tërësi funksionon shërbimi profesional i cili është formuar për udhëheqjen e punëve organizativo-teknike dhe administrative të Komisionit.
 
Zëdhënësi Shabani më tej shtoi se nuk ka informacion se kur do të plotësohet numri i anëtarëve të KShZ-së apo si do të jetë formacioni i këtij institucioni.       
                        
“Është çështje që nuk varet prej KShZ-së, në fakt prej personave që tani për tani ushtrojnë funksionet në KShZ, varet kryesisht prej Parlamentit, gjegjësisht prej partive politike”,- tha zëdhënësi i KShZ-së, Admir Shabani.
 
Ndërkohë, KShZ dhe Shoqata “Inkluziva” nënshkruan memorandum për bashkëpunim që ka për qëllim rritjen e pjesëmarrjes së personave me pengesa në procesin zgjedhor dhe adaptimin e hapësirave për këta persona. 
                                                                                                        
“Zgjedhjet e ardhshme të rregullta duhet të mbahen gjatë 2019-s, andaj kemi kohë të mjaftueshme që me forca të përbashkëta të trajnojmë një numër më të madh të personave për sa i përket komunikimit me personat me pengesa”,- u shpreh sekretari i KShZ-së, Dobre Jançev.
 
“Në vendin tonë mungojnë shumë gjëra për të thënë se procesi zgjedhor është inkluziv si qasja deri te vendvotimet, materialet për edukim, si dhe materialet në vendvotime. Të gjitha këto duhet të korrigjohen”,- u shpreh Bllagica Dimitrovska nga Shoqata “Inkluziva”.
 
“Inkluziva” dhe KShZ edhe në të kaluarën kanë përgatitur projekte për përkrahjen e personave me pengesa, sipas letrës së Brailit, e cila është dedikuar për votuesit me pengesa në shikim.
 
FLUTURA LATIFI