Botë

Junker: s’ka rrugë të shkurtër drejt BE-së, duhen reforma

13.03.2018 17:36

Ende nuk ka një datë të saktë se kur vendet e Ballkanit perëndimor do të mund t’i bashkëngjiten BE-së, por kreu i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker...

Ende nuk ka një datë të saktë se kur vendet e Ballkanit perëndimor do të mund t’i bashkëngjiten BE-së, por kreu i Komisionit Europian, Zhan Klod Junker, thotë se ky rajon është i vendosur të jetë pjesë e BE-së.

Në fjalimin e tij në Parlamentin Europian në Strasburg, Junker potencoi se pas vizitës në Ballkanin perëndimor, ka parë nga afër dhe është prekur nga dëshira e rajonit për të qenë pjesë e BE-së.

“Kam besim se ky rajon dramatik, që është kaq shumë i vendosur të ndryshojë në mënyrë rrënjësore, duhet të bëhet pjesë e BE-së. Do të doja që një besim të tillë ta shoh edhe te 27 vendet anëtare të BE-së”, tha Junker.

Ai potencoi se para se të bëhen anëtare të Unionit, vendet e Ballkanit perëndimor kanë shumë punë para tyre.

“Duhet t’i zgjidhin të gjitha mosmarrëveshjet dypalëshe, të arrijnë pajtueshmëri për politikat reformuese, sidomos në sundimin e së drejtës. Nuk ka rrugë të shkurtër për pranim në BE, përmbajtja vlen më shumë se shpejtësia”,- porosit Junker.

Nuk ka afate precize por jam i bindur se Ballkani perëndimor dhe BE kanë të njëjtën ardhmëri, potencoi kreu i KE-së në fjalimin e tij në seancën plenare të europarlamentit të Strasburg.