Maqedoni

Anulohet seanca për rastin “Dhuna në Qendër”, njëri prej të akuzuarve është sëmurë

13.03.2018 18:12

Për shkak të mungesës së Millan Andonovskit, i akuzuar në rastin “Dhuna në Qendër”...

Për shkak të mungesës së Millan Andonovskit, i akuzuar në rastin “Dhuna në Qendër”, sërish u anulua fillimi i seancës dëgjimore për këtë rast.
 
Avokati i tij, Dankov, i tha gjykatësit se Andonovski nuk do të jetë prezent në gjykatë në dy javët e ardhshme, pasi që Andonovski ka “leringit dhe merr terapinë e amkoskilavit”.
 
E revoltuar nga kjo, prokurorja speciale, Fatime Fetai, kërkoi nga gjykata shqiptimin e masës urgjente të paraburgimit për Andonovskin, pasi ai tre herë me radhë nuk merr pjesë në seancë.
 
Sipas Fetait, masa e paraburgimit është mëse e domosdoshme për të filluar përfundimisht shqyrtimi i seancës kryesore, por gjykatësi, Dushan Josifov, refuzoi kërkesën me arsyetimin se Andovoski megjithatë është juridikisht i mbuluar për këtë mosardhje të tij.
 
Fetai konstatoi se veprimet e tij janë të qëllimshme për të stërzgjatur fillimin e procedurës gjyqësore, ndërsa për të parin të akuzuar në këtë rast, Nikolla Gruevskin, qëndrimi i Fetait dëshmon se PPS ka “rrëshqitur”. 
 
“Për çdo ditë po ballafaqohemi me padrejtësi, ndërsa ditë e më tepër unë po ndjehem si pjesë e veprimeve absurde. Edhe pse gjykatësi nuk shqiptoi paraburgim, vetë fakti që PPS kërkoi paraburgim për njërin nga të akuzuarit, për të cilin është konstatuar se është i sëmurë, tregon qartë për rrëshqitjen e PPS-së”,- tha i akuzuari në rastin “Dhuna në Qendër”, Nikolla Gruevski.
 
Gruevski gjithashtu iu ankua gazetarëve për vazhdimin e seancës së djeshme gjyqësore ndaj tij për Mercedesin, e cila ka zgjatur deri në orën 18 e 30.
 
Sipas Gruevskit, nuk ka qenë praktikë e deritanishme e gjykatësve zgjatja e seancës deri në atë orë. Këto veprime të gjykatësve janë absurde dhe tregojnë se gjykatësit kanë marrë agjendë politike për të përndjekur me doemos ish-funksionarët e VMRO-DPMNE-së, vlerëson Gruevski.
 
Seancat e radhës për “Dhunën në Qendër” janë të caktuara për më 3 dhe 19 prill. 
 
REXHEP QAMILI