Tigrat: Ende pa përfaqësim të shqiptarëve

13.03.2018 18:18

Njësiti special “Tigrat” shënon përvjetorin e themelimit. Me vite të tëra në këtë njësit vërehet mungesë e kuadrit shqiptar...

Këtë e pranon edhe zëvendësministri i brendshëm, Agim Nuhiu. Por, ai theksoi se është angazhuar për të rritur numrin e shqiptarëve në këtë njësit, por para së gjithash do të vlerësohet profesionalizmi dhe përkushtimi për të kryer detyrat e dhëna.
 
Nuhiu për mospërfaqësimin adekuat gjatë periudhës së kaluar thotë se ka qenë si rezultat i disa shkaqeve, mes të cilave edhe diskriminimi në bazë etnike. 
 
“Ne kemi përcaktuar agjendën tonë dhe kemi mirëkuptim edhe me ministrin Spasovski që edhe në njësitin special “Tigrat” të kemi përfaqësim të drejtë dhe adekuat dhe profesionalizëm, sepse këto janë masa afirmative dhe nuk duhet paragjykuar mbi baza etnike, por profesionalizmi dhe gatishmëria për t’u shërbyer detyrave që janë të përcaktuara me ligj dhe me akte tjera nënligjore”,- deklaroi zëvendësministri i MPB-së, Agim Nuhiu.
 
Edhe njeriu një në MPB, Oliver Spasovski, tha se në vend në njësitet speciale elitare, siç është ai i “Tigrave”, vend do të kenë të gjithë ata që janë profesionistë pa dallime etnike.  
 
“Me të vërtetë kemi rritje të pjesëtarëve të bashkësive etnike të tjera në mënyrë gjenerale në MPB. Vlerë e shtuar do të ishte nëse i zgjedhim pjesëtarët më të mirë të të gjitha bashkësive etnike në Maqedoni të jenë pjesë e këtyre njësive elitare”,- u shpreh ministri i MPB-së, Oliver Spasovski.
 
Me rastin e ditës së shënimit të themelit të njësitit “Tigrat” u ndanë edhe mirënjohje për më të mirët. 
 
ERSAN PAJAZITI