Maqedoni

Ligji për gjuhët, të mërkurën sërish para deputetëve, Mickovski: të shqyrtohen amendamentet; Osmani: bllokada për qëllime partiake, ligji fillimisht ishte harmonizuar me VMRO-në

13.03.2018 18:31

Të mërkurën Kuvendi do të përpiqet edhe një herë të kalojë Ligjin për gjuhët...

Në koordinimin e fundit me kreun e Parlamentit, Talat Xhaferin, të cilin VMRO e bojkotoi, koordinatorët e grupeve të tjera parlamentare u dakorduan për vazhdimin e  seancës së 32 në orën 13.
 
Ende nuk qartësohet nëse në seancë do të diskutohet për mbi 35 mijë amendamentet e opozitës maqedonase.
 
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski, paralajmëron se opozita maqedonase do të marrin pjesë në seancën kuvendore kur në rend dite do të jetë Ligji për gjuhët.                                            
 
“Ftoj edhe një herë për respektim të rregullores, respektim të ligjeve, sepse kjo nuk guxon të lejohet, do të ndikojë keq për imazhin e Maqedonisë edhe para bashkësisë ndërkombëtare, por edhe para opinionit të brendshëm, prandaj ftoj për herë të fundit për arsyeshmëri të shmanget një sjellje e egër në kuvend, miratim me forcë të ligjit dhe ftoj në respektimin e rregullores dhe shqyrtimin e amendamenteve. Gjithçka tjetër do të shkaktojë reperkusione edhe për atë që do të vendos t’i shkelë ligjet, por edhe të gjithë ata që do ta mbështesin në atë veprim. Deputetët tanë do të marrin pjesë në atë seancë”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickovski.
 
Por, zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, thotë se bllokimi i Ligjit për gjuhët ka prapavijë partiake pasi ai fillimisht ishte harmonizuar me VMRO-DPMNE-në. 
 
“Ky ligj fillimisht ishte harmonizuar me VMRO-DPMNE-në para se të harmonizohet me LSDM-në. Fakti se parashtrojnë 36.000 amendamente, prej të cilëve 30.000 janë dënime, nëse do të jetë një euro, dy euro, deri në 30.000 euro është sa për të mbuluar amendamentet, ndërsa ka për qëllim pengimin fizik të ligjit, e jo për debat të argumentuar për ligjin”,- theksoi Osmani në një prononcim për agjencinë MIA.
 
Ai nuk ka dyshime se ligji është në përputhje me kushtetutën, pasi janë tërhequr pjesët që kishin të bënin me përdorimin e gjuhës në bankënota dhe uniforma në mbrojtje, në përputhje me mendimin e Komisionit të Venecias.
 
Ai tha se edhe pas miratimit ligji do të dërgohet në Komisionin e Venecias, ndërsa theksoi se secili që dyshon në kushtetueshmërinë e tij mund t’i drejtohet edhe Gjykatës Kushtetuese.
 
Edhe kryeministri Zaev tashmë ka sqaruar se pret që Ligji për përdorimin e gjuhëve të votohet këtë javë, pasi për të njëjtin ka pasur nëntë muaj debat, që është e mjaftueshme për të konkluduar se debati është ezauruar.
 
Ligji për përdorimin e gjuhëve kthehet për lexim të tretë në kuvend, pas mosdekretimit të tij nga kreu i shtetit Ivanov dhe vërejtjeve të bëra.
 
Bazuar pikërisht në vërejtjet e Ivanovit, VMRO-ja opozitare dorëzoi 35.560 amendamente përmes të cilave kërkon të pengojë sjelljen e Ligjit për gjuhët, të cilin, njëjtë si Ivanovi, e quan antikushtetues.
 
NAIM SINANI