Miçel: SHBA-të mbështesin negociatat për emrin

13.03.2018 18:50

ShBA-të janë të përfshira në zgjidhjen e kontestit rreth emrit dhe kanë gatishmërinë për të ndihmuar procesin...

ShBA-të janë të përfshira në zgjidhjen e kontestit rreth emrit dhe kanë gatishmërinë për të ndihmuar procesin që po zhvillohet në patronatin e OKB-së, por Shtëpia e Bardhë pret që zgjidhjen ta gjejnë vetë palët. 
 
Ves Miçel, ndihmës i sekretarit shtetëror të ShBA-ve, pas takimit me kryeministrin Zaev tha se vetëm një zgjidhje e këtillë mund të jetë afatgjate. 
 
Ai inkurajoi palët që të shfrytëzojnë kohën, disponimin dhe rrethanat që t’i japin fund kontestit shumëvjeçar, duke shtuar se Ballkani dhe siguria në gadishull është një ndër prioritet e ShBA-ve.
 
“Mund të shihni përcaktim të fuqishëm të ShBA-ve, përcaktim personal dhe të të gjithë administratës që t’u ndihmojmë të dyja palëve. Njëkohësisht, theksoj se zgjidhje e vetme afatgjate është ajo që do të arrijnë të dyja palët mes veti, në këtë drejtim i inkurajojmë për hapat që kanë marrë Maqedonia dhe Greqia. Duam të jemi mbështetje në mënyrën e duhur. Mund t’u garantoj se keni edhe mbështetjen edhe përfshirjen tonë”,- deklaroi ndihmësi i sekretarit shtetëror të ShBA-ve, Ves Miçel.
 
Miçel theksoi se ShBA-të kanë interes strategjik dhe politik për të gjitha çështjet parimore në Ballkan në kontekst të perspektivave të NATO-s dhe BE-së.
 
Ndërkaq, kryeministri, Zoran Zaev, pretendon që kontesti rreth emrit të zgjidhet në formë bilaterale, ashtu siç ndodhi me Bullgarinë. Por, në rast se duhet mbështetja e miqve, tha se pret ndihmën parimore të miqve.
 
“Me Bullgarinë, çështjen e zgjidhëm mes veti dhe vazhdojmë formën bilaterale. Dhashtë Zoti që partnerëve tanë strategjikë t’u kumtojmë se është gjetur zgjidhje e pranueshme për të dyja palët, duke ruajtur dinjitetin dhe identitetin e të dyja palëve. Unë këtë e pres. Por, gjithsesi, po të kemi nevojë për ndihmë, pres ndihmë nga miqtë në mënyrë parimore. Të inkurajoj të dyja palët që të gjejmë zgjidhje që përfundimisht qytetarët e dy anëve të shohin përfitimet nga kjo zgjidhje”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Çështja e emrit pritet të diskutohet edhe në takimet që Miçell do të realizojë me përfaqësuesit e Qeverisë greke në Athinë, më 15 mars. 
 
Ndryshe, Miçell nisi turin e tij në vendet e Ballkanit, një ditë më parë, me vizitën në Prishtinë, ndërkaq pas vizitës së sotme në Shkup do të ndalojë edhe në Athinë, Beograd dhe Nikozi.
 
SHPËTIM NUREDINI