Botë

E para grua në histori, Kitaroviç zgjidhet presidentja e re e Kroacisë

12.01.2015 12:29

Kolinda Grabar-Kitaroviç nga radhët e opozitës kroate, ka fituar zgjedhjet presidenciale me një diferencë të ngushtë votash...

Ajo siguroi 50,5% të votave në 99% të votave të numëruara, krahasuar me presidentin e mëparshëm, Ivo Josipoviç, i cili mori 49,5% të votave. Pas publikimit të rezultatit të zgjedhjeve, Josipoviç ka pranuar humbjen dhe ka uruar kundërshtaren e tij. 
 
Zgjedhjet presidenciale konsiderohen si një provë për partitë kryesore përpara zgjedhjeve parlamentare që pritet të mbahen në fund të vitit 2015. 
 
46 vjeçarja, Kolinda Grabar-Kitaroviç, ishte ministre e Jashtme dhe njëkohësisht asistente e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s.
 
Nga ana tjetër, 57 vjeçari, Ivo Josipoviç, ka mbajtur postin e presidentit të Kroacisë nga viti 2010. Ai ishte aq i popullarizuar, sa shumë besonin se Josipoviç do të rizgjidhej president i Kroacisë. 
 
Presidenti kroat luan një rol të rëndësishëm në politikën e jashtme dhe në organizimin e ushtrisë.
 
Shteti i Kroacisë, i cili ka një shkallë papunësie  20%, u bë anëtarja më e re e Bashkimit Evropian në korrik të vitit 2013.