Dështoi përpjekja e opozitës për mosbesim ndaj kryeparlamentarit Talat Xhaferi

01.07.2022 00:19

Deputetët e opozitës nuk arritën të shkarkojnë kryetarin e Kuvendit ...

Deputetët e opozitës nuk arritën të  shkarkojnë   kryetarin e Kuvendit  . Vetëm 43 votuan “pro”, propozimit të VMRO-DPMNE-së teksa 61 deputetët e tjerë votuan “kundër”, duke i dhënë mbështetje të plotë punës së  Xhaferit.
 
Deputetët shprehën mendimin e tyre me “votim individual”, pra duke ngritur duart, pasi sistemi elektronik tregoi se 60 deputetë votuan kundër. Drejtuesi i seancës Goran Misovski shpjegoi se sistemi i ri nuk e regjistroi votën e Xhaferit , andaj thirri shërbimin parlamentar që të organizojë një “votim individual” nga i cili rezultoi se kundër interpelancës  janë 61 deputetë.
 
Deputetët e VMRO DPMNE-së  dorëzuan më 30 maj kërkesë për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi, me pretendimin se i njejti,  duke mos respektuar rregulloren e punës, kolegët deputetë dhe punonjësit e Kuvendit,  ka treguar se nuk është i denjë për atë detyrë.
 
Shefi i Grupit Parlamentar të VMRO DPMNE-së, Nikolla Micevski, e akuzoi Xhaferin për keqpërdorim të detyrës dhe shkelje të vazhdueshme të Rregullores dhe vlerësoi se për pesë vitet që ka udhëhequr Kuvendin “është shndërruar në makinë votimi për punët kriminale të qeverisë (LSDM dhe BDI)”.
 
Në debatin që filloi rreth mesditës, deputetët e koalicionit qeverisës LSDM dhe BDI dolën në mbrojtje të Xhaferit, duke e akuzuar opozitën vetëm se “pengon punën e Kuvendit, për kurdisje konspiracionesh, nën  lakminë  për pushtet dhe për të bërë gjithçka për të mbrojtur krimin në radhët e saj”.
 
Interpelanca e Xhaferit ishte pika e vetme e seancës së 77-të plenare të Kuvendit.