Botë

SHBA dhe BE dënojnë dhunën në Ukrainë

14.01.2015 12:37

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara e kanë dënuar dhunën në Ukrainën Lindore...

Një incident i përgjakshëm ka ndodhur dje në Ukrainë, ku një autobus që po transportonte civilë është goditur nga një raketë, me ç’rast kanë mbetur të vdekur njëmbëdhjetë persona, ndërsa trembëdhjetë të tjerë janë plagosur.
 
Incidenti ka ngjarë në afërsi të Donjeckut, që kontrollohet nga separatistët pro-rusë. Liderët e separatistëve kanë mohuar se kanë gisht në këtë sulm. 
 
Zëdhënësja e Departamentit amerikan të Shtetit, Marie Harf, ka thënë se bombardimi i autobusit në afërsi të aeroportit të qytetit Donjeck është shkelja e fundit skandaloze nga ana e separatistëve. 
 
Në Bruksel, një zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme, Federica Mogherini, ka thënë se dhuna në Ukrainën Lindore e shton nevojën për t’iu përmbajtur marrëveshjes së armëpushimit të arritur në Minsk më 5 shtator.
 
Presidenti ukrainas, Petro Poroshenko, e ka dënuar sulmin e ngjarë, ndërsa ka shtuar se separatistët duhet të përgjigjen për viktimat.