Botë

Meteorologët gabuan, autoritetet kërkojnë falje

28.01.2015 14:18

Reshje të dendura dëbore ranë në Konektikat dhe Masaçusets, ku rrugët u veshën në të bardhë, megjithatë qyteti i Nju Jorkut nuk e pa gjëkundi stuhinë historike...

Reshje të dendura dëbore ranë në Konektikat dhe Masaçusets, ku rrugët u veshën në të bardhë, megjithatë qyteti i Nju Jorkut nuk e pa gjëkundi stuhinë historike, e cila duhet të ishte ndoshta më e madhja që prej fillimit të regjistrimeve të stuhive të borës.
 
Kryebashkiaku, Bill de Blasio, iu përgjigj pretendimeve për reagim të ekzagjeruar me pohimin se veproi i mbështetur në informacionet e ekspertëve.
 
“Ne morëm masa që njerëzit të ishin sa më të sigurt. Si thoni ju, më mirë të jesh i papërgatitur, apo i përgatitur për çdo situatë? Të jesh i sigurt apo i pasigurt? Detyra ime si udhëheqës është të marr vendime, qofshin këto edhe të gabuara, por që në çdo rast anojnë nga siguria dhe kujdesi”- deklaroi kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill De Blasio.
 
Shërbimi Meteorologjik Kombëtar sqaroi se sistemet e stuhive dimërore ndryshojnë shumë shpejt, çka e bën tepër të vështirë parashikimin e saktë të tyre dhe u ka kërkuar falje publike amerikanëve për gabimin në parashikim.
 
Ekspertët, megjithatë, e kanë një justifikim për gabimin e bërë. Ata thonë se parashikimet jo plotësisht të sakta i detyrohen më së shumti faktit që i besuan modelit kompjuterik evropian të parashikimit të motit, i cili kishte rezultuar i suksesshëm në gjetjen e rrugës së superstuhisë “Sandy”, por që këtë radhë dështoi në parashikim. 
 
ADNAN HAJDARI