Botë
Vetëvendosje: Duhet të ikin qeveritarët, jo qytetarët
07.02.2015 15:09
Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se të vetmit njerëz që duhet të largohen dhe ta lëshojnë Kosovën janë qeveritarët...

Lëvizja Vetëvendosje vlerëson se të vetmit njerëz që duhet të largohen dhe ta lëshojnë Kosovën janë qeveritarët dhe sipas deputetit të këtij subjekti, Faton Topalli si argument për të kërkuar azil politik, qeveritarët do të mund të përdorin dy protestat e fundit.
Lëvizja Vetëvendosje këtë e ka shprehur edhe në mënyrë simbolike, duke improvizuar një autobus prej letre, në të cilin i kanë vendosur fotografitë e qeveritarëve.
Duke folur për largimet në muajt e fundit, Topalli thotë se Qeveria nuk ka koncept dhe plan ekonomik. Sipas tij vetëm në Gjermani rreth 7 mijë persona kanë kërkuar azil ekonomik.
Ndërkohë lidhur me valën e largimeve nga Kosova ka reaguar edhe shefi i Zyrës sё Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar duke i quajtur tragjedi pamjet që shfaqen nga media të ndryshme.
Sipas tij ata po ikin për një jetë më të mirë, por kjo do të mbetet vetëm një iluzion pasi asnjëri nga ta nuk mund të merr azil në shtete e BE-së.
Zhbogar ka thënë se azil mund të marrin njerëzit që ikin nga vendet e luftës apo vendet e pa sigurta për jetë, që Kosovën nuk e sheh si të tillë.
