Tiranë, samit i posaçëm për Ukrainën

28.02.2024 18:03

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski, si dy organizatorë të samitit të posaçëm për Ukrainën në Tiranë, pritën një e nga një liderët e Ballkanit Perëndimor. I përzemërt ishte takimi i presidentit Zelenski dhe kryeministri Rama me presidenten e Kosovës, Osmani, e cila shprehu besim që njohja e Kosovës nga Ukraina, do të vijë në një moment tjetër.
 
“Njohja e Kosovës do të vijë bashkë me fitoren e Ukrainës.”, - theksoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
 
Mysafirët e radhës ishin presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski dhe kryeministri, Talat Xhafeir. E më pas edhe ai serb, Aleksandar Vuçiq.
 
Në gjuhën serbe, Vuçiq tha se do të kërkojë ndryshime në tekstin e deklaratës, që parashikon sanksione ndaj Rusisë. Në fjalën hapëse të samitit, kryeministri Edi Rama foli për nevojën e ndihmës për Ukrainën, si mënyra për t’i bërë ballë pushtuesit rus që rrezikon edhe ekzistencën e Evropës.
 
“Të ndalosh Ukrainën në vend të Putinit legjitimohet më tej. Në rajonin tonë pas me shumë se çerek shekulli vragat nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë duhet shëruar. Rendi ndërkombëtar po sfidohet sepse marrëdhëniet e pushtetit janë shndërruar në përplasje për pushtet nga orekset. Të mos biem pre e kësaj, të rezistojmë në mënyrë të përbashkët ndaj atyre që duan të shpërbëjmë atë që kemi arritur. Të qëndrojmë së bashku. Të mos e lëmë Rusinë të fitojë e Ukraina të humbasë, ekzistenca e BE-së do të ishte në rrezik. Disa oportunistë cinikë thonë se të ndihmosh Ukrainën pengon kauzën e paqes, por zgjidhja është të ndalim agresorin, jo të çarmatosim viktimën.”, - u shpreh kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. 
 
Volodimir Zelenski shpalosi planin e tij të paqes me 10 pika dhe propozoi një forum ku të diskutohet ideja për bashkëprodhimin e armëve kundër Rusisë.
 
“Kemi vërtetuar se është e mundur t’i bësh ballë e të fitosh me një armik që duket më i forti në botë. Të gërshetojmë këto përpjekje, e t’i fuqizojmë. 500 kompani në fushën e mbrojtjes në Ukrainë, por nuk mjafton për të fituar mbi Putinin. Shohim probleme edhe në ofertën për sa i përket municioneve. Jemi të fokusuar në bashkëprodhimin e municioneve. Forum i posaçëm për industrinë e mbrojtjes në Kiev apo kryeqytetet tuaja. Ky ndërveprim ndërmjet nesh është kthyer në faktor që nuk e lë Putinin të fitojë. Putini  di “të përçajë e të sundojë”, por ne do të shohim interesat tona.”, - theksoi presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski. 
 
Të pranishëm ishin edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkoviq dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, por mungoi kreu i qeverisë greke Mitsotakis, i cili mori pjesë në përkujtimin e aksidentit tragjik të një viti më parë në Tempi, me 57 viktima.
 
LULJETA NDOKA