Gjykata Kushtetuese, hiqet nacionaliteti nga ligji për evidencën amë
28.02.2024 18:03
Gjykata Kushtetuese vendosi të hiqet pjesa e “nacionalitetit” në Ligjin për evidencën amë...
Gjykata Kushtetuese vendosi të hiqet pjesa e “nacionalitetit” në Ligjin për evidencën amë. Sipas Gjykatës, deklarimi për përkatësinë nacionale nuk është detyrë, por mundësi, gjegjësisht e dhënë e padetyrueshme, me çka qytetarët janë të privuar nga e drejta që të mos deklarohen për përkatësinë e tyre nacionale.
Sipas Kushtetueses, tre nenet e Ligjit për evidencën amë janë në kundërshtim me Kushtetutën e RVM-së, gjegjësisht nenin 8 paragrafi 1 alinea 2 e Kushtetutës që ka të bëjë me shprehjen e lirë të përkatësisë nacionale si vlerë themelore, të drejtën për të mos e shprehur përkatësinë nacionale dhe të drejtën për të ndryshuar nacionalitetin.
“Gjykata Kushtetuese miratoi vendim duke u nisur nga fakti se bëhet fjalë për ndjenjë private dhe të brendshme të njeriut dhe askush nuk mundet të jetë i detyruar që ato ndjenja në mënyrë publike t’i manifestojë dhe aq më shumë të jetë objekt institucional për administrim në dokumentet publike, duke pasur parasysh se Kushtetuta në nenin 18 garanton konfidencën dhe sigurinë e të dhënave personale.”, - deklaroi zëdhënësja e Gjykatës Kushtetuese, Hristina Belovska.
Gjykatësit kushtetues e sollën këtë vendim në kuadër të lëndës së formuar pas nismës së parashtruar nga partia politike "E Majta". Paraprakisht Gjykata Kushtetuese anuloi udhëzimin që kishte sjellë Ministria e Drejtësisë për futjen e nacionalitetit në certifikatat amë.
Për këtë në statusin e tij në FB ka reaguar Ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, i cili ka shkruar për mbivotim të gjykatësve të shumicës 54% në krahasim me gjykatësit e joshumicës 46%, ku ka nënvizuar se të shprehurit e lirë të përkatësisë etnike parashihet pikërisht në nenin 8 të Kushtetutës.
Ministri i Drejtësisë sa i përket Udhëzimeve ka bërë thirrje që Kushtetuesja të veprojë njëjtë edhe me udhëzimet e tjera, sikurse me Udhëzimin për plotësim dhe ndryshim të udhëzimit për mënyrën e mbajtjes, mbrojtjes dhe ruajtjes së librave amë dhe shkresave.
FLORIJE KAMBERI