KShZ: Lista zgjedhore, në shqyrtim publik, Shehu: Vazhdon mbledhja e nënshkrimeve për president
28.02.2024 18:04
Që nga dita e sotme edhe zyrtarisht KShZ-ja....
Që nga dita e sotme, edhe zyrtarisht KShZ-ja ka bërë të ditur se ka publikuar listën zgjedhore për shikim publik. Mundësia që qytetarët të kontrollojnë nëse janë në listën zgjedhore do të jetë deri më datë 18 mars në ora 24:00. Qytetarët të cilët kanë vërejtur se nuk figurojnë në këtë listë apo ka ndonjë ndryshim të të dhënave të tyre personale, të njëjtat mund t’i paraqesin deri tek KShZ-ja.
“U bëjmë thirrje qytetarëve që t’i kontrollojnë të dhënat, të cilat janë në listën zgjedhore, pasi që kjo do të jetë lista zgjedhore e cila do të jetë edhe në ditën e votimit. Afati i shikimit publik ka filluar sot më 28 shkurt dhe do të jetë i hapur deri më 18 mars në ora 24:00. Të dhënat e veta mund t’i kontrollojnë në njësitë rajonale të KShZ-së, që i kemi në komunat ku jetojnë apo mund edhe të mos shkojnë në njësitë rajonale, do të munden në formë elektronike në faqen zyrtare të KShZ-së që është sec.mk apo drejtpërdrejt në Izbiraqkispisok.gov.mk. Nëse qytetarët gjatë shikimit publik mund të kërkojnë apo të parashtrojnë kërkesë për regjistrim të dhënave, plotësim apo shlyerje të të njëjtave të dhëna, formularët janë në ueb-faqen zyrtare të KShZ-së në [email protected],.”, - deklaroi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Të njëjtat kushte do të vlejnë edhe për qytetarët të cilët për momentin janë me vendbanim apo me punë të përkohshme jashtë vendit, kontrollin e të dhënave mund ta bëjnë në ueb-faqen e KShZ -së apo tek përfaqësitë diplomatike konsulare, duke plotësuar edhe kërkesën që të njëjtëve do t’u mundësohet që edhe të votojnë në diasporë.
Paralelisht është duke vazhduar edhe grumbullimi i nënshkrimeve i kandidatëve potencial për kryetar të vendit, ku deri më tani zyrtarisht tre kandidatë kanë kaluar pragun prej 10 mijë nënshkrimesh.
“Deri dje në ora 20:00 nënshkrimet të cilat i kanë grumbulluar kandidatët janë si në vijim: Velo Markovski 924 nënshkrime, Biljana Vankovska Cvetkovska 7,876 nënshkrime, Tome Nikollovski nuk ka mbledh asnjë nënshkrim, Bujar Osmani 11,028 nënshkrime, Gospodin Popovski 40 nënshkrime, Maksim Dimitrievski 10,700 nënshkrime, Stevçe Jakimovski 6,676 nënshkrime, Gjorgji Manaskov 267 nënshkrime, Arben Taravari 10,083 nënshkrime, Mersiha Smailoviq 887 nënshkrime dhe Zorica Cvetkovska 140 nënshkrime.”, - theksoi nënkryetarja e KShZ-së, Ditmire Shehu.
Të gjithë kandidatët do të kenë të drejtë të tubojnë nënshkrime deri në datën e limituar 8 mars, ndërsa KShZ-ja e nënshkruan listën zgjedhore të mbyllur, përkatësisht ekstraktet nga lista zgjedhore në të cilat votohet, më së voni 15 ditë para datës së zgjedhjeve apo më së voni deri më 8 prill. (Fitim Kryeziu, TVM2)