Bruksel, Murtezani takon Varhejin, ndryshimet kushtetuese dhe reformat, tema kyçe
04.09.2024 15:57
Çështja e procesit eurointegrues, sfidat para këtij rrugëtimi...
Çështja e procesit eurointegrues, sfidat para këtij rrugëtimi dhe hapat që duhet ndërmarrë periudhën në vijim, kanë qenë temë kryesore e bisedës mes ministrit për Eurointegrime, Orhan Murtezani dhe eurokomisarit për Zgjerim, Oliver Varheji. I pari i eurointegrimit ka siguruar vazhdimin e aspiratave qeveritare në kontekst të harmonizimit me standardet dhe kushtet e Unionit. Në Bruksel është trajtuar edhe tema e ndryshimeve kushtetuese, për çka Murtezani ka shprehur nevojën për krijimin e një klime të përshtatshme politike dhe mbështetjen publike për këto ndryshime. Edhe me Bullgarinë kemi vullnet për dialog konstruktiv, ka thënë ai para zyrtarëve të Brukselit.
“Ajo që është me rëndësi është se Bashkimi Evropian fuqishëm e mbështet integrimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe qëndrojnë pranë nesh në zgjidhjen e kontesteve ose çështjeve të hapura. Në këtë e informova komisarin Varhej për gatishmërinë e Maqedonisë së Veriut për të filluar një dialog me fqinjin tonë, Bullgarinë, dialog i cili mendojmë se është i domosdoshëm dhe i cili duhet të rezultojë me një zgjidhje e cila është e pranueshme dhe zgjidhje e cila do t’i mbrojë interesat e të dy shteteve.”, - deklaroi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani.
Bashkimi Evropian do të vazhdojë ta ndihmojë vendin edhe në avancimin e shtetit dhe implementimin e reformave. Eurokomisari Varheji ka sqaruar se ndihma fokusohet në transformimin e Maqedonisë së Veriut, në sundimin e së drejtës, reformat në administratën publike dhe lufta kundër korrupsionit.
“Gjithashtu morëm edhe një mbështetje inkurajuese për dinamikën e lartë me të cilën Qeveria e re e përpunoi dhe miratoi agjendën reformuese, agjendë e cila duhet t’i përgatitë institucionet e shtetit për reformat e nevojshme, duke stimuluar me një sërë mjetesh të caktuara, pra, për rritjen e kondicionit ekonomik të shtetit.”, - theksoi ministri për Eurointegrime, Orhan Murtezani.
Në takim janë shkëmbyer mendime dhe informacione edhe për Planin për Rritje të BE-së për BP-në, si mekanizëm kryesor për rritjen e investimeve dhe përforcimin e rezistencës ekonomike të vendeve të rajonit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU