Vdes një 78-vjeçar nga Oblesheva, ishte infektuar nga virusi i Nilit Perëndimor
Një pensionist 78-vjeçar nga Oblesheva e Koçanit...
Një pensionist 78-vjeçar nga Oblesheva e Koçanit ka ndërruar jetë një javë pasi u shtrua në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile, pas infektimit nga virusin e Nilit Perëndimor.
Sipas informacionit nga Instituti për Shëndet Publik, për shkak të gjendjes së rëndë dhe diagnozës së encefalitit, ai u dërgua në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, ku përskaj trajtimeve, nga komplikimet e marra humbi jetën. Gjatë periudhës së inkubacionit, ai nuk ka udhëtuar jashtë vendit dhe as jashtë vendbanimit të tij.
“Rasti i katërt dhe i fundit është testuar në Institutin e Shëndetit Publik më 12 shtator. Burri është nga Oblesheva dhe është shtruar në Klinikën Infektive dhe fatkeqësisht ka ndërruar jetë. Gjatë anketës epidemiologjike, ai dha informacion se nuk kishte udhëtuar askund.”, - deklaroi Marija Andonovska nga IShP-ja.
Infektologu Cana potencon se nuk duhet shkaktuar panik, sepse vetëm 1 për qind prej të infektuarve mund të përfundojnë me letalitet për shkak të komplikimeve.
“80 për qind prej pacientëve që infektohet nga virusi i Nilit Perëndimor e kalojnë virusin në formë simptomatike. Ndonjëri prej nesh mund edhe të ketë kaluar virusin. Rreth 20 për qind prej pacientëve shfaqin formë klinike të lehtë që manifestohet me plogështi dhimbje muskujsh dhe ethe, ndërsa tek 1 për qind prej pacientëve mund të ketë pasoja neurologjike, siç është rasti me pacientin 77-vjeçar, që humbi jetën nga pasojat e virusit.”, - theksoi infektologu, Fadil Cana.
Sipas infektologut Cana, përhapjen e virusit mund ta bëjnë shpezët apo pickimet e mushkonjave që bartin virusin dhe preventimi i vetëm është dezinsektimi. Në rajonin e Koçanit, autoritetet shëndetësore kanë ndërmarrë masa për dezinfektimin e territorit. (Flutura Latifi, TVM2)