Vazhdon përplasja Shkup – Sofje, Radev: Provokimet e RMV-së nuk ngjallin optimizëm

19.09.2024 15:44

Zyra e presidentit bullgar Rume Radev...

Zyra e presidentit bullgar Rume Radev dhe Ministria e Punëve të Jashtme bullgare akuzojnë se Shkupi zyrtar po i përforcon marrëdhëniet me “provokime dhe ofendime” ndaj shtetit dhe popullit bullgar.

Radev dhe MPJ-ja  bullgare reagojnë, ndaj siç thonë ata “kualifikimeve fyese ndaj Bullgarisë dhe popullit bullgar nga zyrtarë të RMV-së”.

Vlerësojnë se manipulimi i fakteve dhe reagimet histerike të Qeverisë së RMV-së nuk ngjallin optimizëm se fqinji jugperëndimor dëshiron të largohet nga fusha e provokimeve.

“Dialogu i hapur dhe konstruktiv, edhe në takim joformal, siç ishte ai i mbajtur mes presidentëve të Bullgarisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut më 13 shtator, me sa duket shqetësoi shumë qarqe të caktuara në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut. “Qytetërimi” i Qeverisë së re të RMV-së do të gjykohet ende nga fakti nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e fushatave për të nxitur urrejtjen kundër Bullgarisë apo kundër tyre, si dhe nga aftësia e saj për të respektuar marrëveshjet ndërkombëtare.”, thuhet në komunikatën e presidentit bullgar, Rume Radev.

MPJ-Bullgare: Marrëdhëniet e mira garantojnë rrugën në BE

“Lidhur me kualifikimet e mëvonshme fyese ndaj Bullgarisë dhe popullit bullgar nga zyrtarë të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ne refuzojmë kategorikisht të përfshihemi në një ton të tillë joevropian dhe të papajtueshëm me sjellje të mirë. Partnerët tanë janë informuar për provokimet, të cilat synojnë të prishin dialogun.”, thuhet në reagimin e MPJ-së bullgare.

Borisov: Shkupi të kërkojë falje

Në ndërkohë, lideri i GERB-it, Bojko Borisov, kërkon nga Shkupi zyrtar të  kërkojë falje dhe dorëheqjen e ministrit Nikollovski për deklaratën e tij të dhënë lidhur mosvendosjen e flamurit maqedonas në takimin e presidentes Siljanovska-Davkova me presidentin bullgar, Radev.

“Gjuha që ata përdorin ka vetëm një justifikim. Falje dhe dorëheqje të atij ministri. Dhe nëse nuk e bëjnë këtë, as presidenti, kryeministri, ministrat e as partitë bullgare nuk duhet të takohen dhe të bisedojnë me ta.”, - deklaroi kryetari i GERB-it, Bojko Borisov.

Borisov po ashtu paralajmëroi se do ta informojë edhe Partinë Popullore Evropiane (EPP), në të cilën anëtare është edhe VMRO-DPMNE-ja për atë se për çfarë është biseduar dhe thënë në atë takim dhe cila është zgjidhja kategorike për çështjen në fjalë, tha Borisov. (Rexhep Qamili, TVM2)