Bruksel, Von Der Lejen mbledh liderët e rajonit
Me ftesë të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen....

Me ftesë të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen, liderët e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor janë në drekë pune me shefen e ekzekutivit të Unionit.
Sipas njoftimeve zyrtare, diskutimi do të sillet rreth kësteve të para të paketës më të madhe financiare që BE-ja i ka akorduar rajonit dhe planet e reformave si kusht për marrjen e fondeve.
Reformat janë thelbësore për të përmbushur kushtet e nevojshme që mundësojnë disbursimin e pagesave të para nga Plani për Zhvillimin e rajonit tonë, iniciativë e mbështetur nga Bashkimi Evropian, që ka për qëllim nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe integrimin e vendeve të rajonit.
Një ditë para shkuarjes në Bruksel, kryeministri Mickoski, duke folur për vazhdimin e procesit eurointegrues, tha se nuk shkon atje për të prezantuar “Propozim francez plus” dhe po ashtu nuk komentoi nëse do të jetë në tavolinë kërkesa për ndryshimet kushtetuese me prapaveprim, por siguron qytetarët e vendit se do të vazhdojë t'i mbrojë interesat maqedonase.
Në kuadër të delegacionit qeveritar, në Bruksel po qëndron edhe ministri për eurointegrime, Orhan Murtezani dhe ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
Shefi i diplomacisë është takuar me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, ndërkaq në orët e pasdites, kryeministri Mickoski do të takohet me kryetarin e Këshillit të BE-së, Sharll Mishell, me eurokomesarin për Zgjerim, Oliver Varhej, dhe me Drejtorin e Përgjithshëm të Drejtorisë për Politikë Fqinjësore, Kopman. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)