Ulet niveli i ndotjes së ajrit në Shkup
10.01.2025 15:38
Shkupi, pas disa ditësh të kaluar midis 10 qyteteve më të ndotura në botë...
![](https://al.mrt.com.mk/sites/default/files/ajrii%20dnootur%20slidde_0_0_0.jpg)
Shkupi, pas disa ditësh të kaluar midis 10 qyteteve më të ndotura në botë, këtë mëngjes shënon një rënie në renditje. Sipas tabelës së platformës për matjen e ndotjes së ajrit “IQAir”, në orën 09:15 kryeqyteti gjendet në vendin e 57-të në botë.
Vlera e nivelit të grimcave të dëmshme PM është 63 njësi në Shkup dhe bën pjesë në kategorinë e shënuar me fushë të verdhë si nivel i moderuar i ndotjes. Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor këto ditë ka bërë thirrje për të gjitha institucionet përgjegjëse, komunat dhe Qytetin e Shkupit, që të kryejnë më intensivisht detyrimet e tyre në përputhje me "Planin e Veprimit për sezonin e ngrohjes 2024-2025".
“Ndërmarrjet publike për higjienën komunale të komunave dhe Qytetit të Shkupit duhet të kryejnë rregullisht pastrimin atmosferik dhe larjen e rrugëve e trotuareve. Inspektorati Shtetëror për Ndërtimtari dhe Urbanizëm, si dhe inspektorët komunalë për urbanizëm dhe ndërtimtari, duhet të kryejnë kontrolle emergjente të përforcuara në kantieret e ndërtimit.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Nga LSDM-ja kërkojnë që Qeveria të mos injorojë gjendjen me ndotjen e ajrit. Socialdemokratët kërkojnë që Qeveria t’i pranojë masat që i ka ofruar LSDM-ja.
“Kontrollet mbi industrinë duhet të intensifikohen. Duhet të kryhen kontrollime në kantieret e ndërtimit dhe të ndalohen punimet ndërtimore në qytetet me ndotje të shtuar. Aktivitetet intensive për pastrimin publik: larja e rrugëve, pastrimi i deponive ilegale dhe mbledhja e mbeturinave. Kontroll më i fortë mbi gjendjen teknike të automjeteve. Duhet të bëhet një riorganizim i orarit të punës për punëtorët në natyrë, me orar të shkurtuar nga ora 11:00 deri në 17:00.”, - theksoi Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Reagojnë nga VMRO-DPMNE-ja. LSDM-ja, sipas VMRO-së gjatë shtatë viteve të saj në pushtet nuk bëri asgjë dhe nuk mori asnjë masë për të reduktuar ndotjen e ajrit.
“Kur LSDM-ja propozon disa masa është mirë që të informohen ose të paktën të bëjnë një kërkim në Google dhe do të shohin se ato masa që i propozojnë si urgjente, tashmë janë miratuar dhe po implementohen. Qeveria ka miratuar tashmë një plan veprimi për ajër të pastër për periudhën 2024-2025, i cili përfshin zbatimin e masave afatshkurtra në nivel kombëtar për uljen e emetimeve të grimcave të ngurta dhe të dëmshme.”, thuhet në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Përndryshe, që nga fillimi i vitit, Shkupi është ndër qytetet më të ndotura në botë, madje një ditë u rendit në vendin e parë sipas ndotjes së ajrit.
BELINDA KOKA ADEMI