Unioni i infermiereve “Për ne”: Infermiereve nuk po u vazhdohen kontratat
04.02.2025 15:11
Unioni i infermiereve “Për ne” ka reaguar, pasi disa infermiereve nuk u janë vazhduar kontratat...

Unioni i infermiereve “Për ne” ka reaguar, pasi infermiereve që punojnë në institucionet shëndetësore dhe spitale nuk u janë vazhduar kontratat. Megjithëse nuk ishin njoftuar se nuk duhet të shkonin në punë, atyre u është thënë se pëlqime për kontrata për muajin janar nuk ka. Për të shmangur situatat e këtilla nga Unioni i infermiereve kërkojnë që infermieret në të ardhmen të mos angazhohen me kontrata pune, por me vendime të përhershme, sepse bëhet fjalë për kuadër deficitarë, për shkak të ikjes masive të infermiereve në vendet evropiane. Nga ky Union theksojnë se institucionet shëndetësore në vend kanë nevojë për rritjen e punësimit të infermiereve për 50%.
“Kjo periudhë stresuese e këtyre infermiereve dhe kjo mënyrë e angazhimit duhet që në mënyrë sistemore të zgjidhet dhe patjetër pasi të zgjidhet kjo çështje, shpresojmë që edhe pas këtyre apeleve tona dhe presioneve te Ministria e Shëndetësisë dhe te strukturat shëndetësore do të zgjidhet dhe do të kalojnë në statusin e të punësuarve të rregullt, të mos ketë më angazhim të këtillë të infermiereve në spitale. Duke pasur parasysh se jemi tejet deficitarë dhe duke pasur parasysh migrimin masiv në të gjitha bazat, kjo është diçka me të cilën i lëndoni infermieret, të cilat dëshirojnë të punojnë.”, - deklaroi Unioni i infermiereve “Për ne”, Gordana Beshlioska.
Ministria e Shëndetësisë: Pëlqimi është dhënë, kontratat arrijnë në disa pjesë
Por, nga Ministria e Shëndetësisë thonë se pëlqime për kontrata për infermieret ka dhe ato tanimë po u dërgohen institucioneve shëndetësore. Po ashtu nga kjo ministri bëjnë të ditur se pritet edhe konkursi për punësime.
“Ne si Ministri e Shëndetësisë tanimë kemi dhënë pëlqime për t’i vazhduar kontratat për të gjitha infermieret, i ka nënshkruar edhe fondi dhe ato janë në Ministrinë e Financave, ku përpunohen dhe arrijnë në disa pjesë, prandaj nuk kanë arritur te të gjitha institucionet shëndetësore. Disa i kanë marrë pëlqimet, deri në fund të javës së ardhshme presim që ato të arrijnë deri te të gjitha institucionet dhe t’u ndahen të punësuarve. Planifikojmë që deri në fund të marsit fillimi i prillit të shpallim edhe konkurs për punësime, jo vetëm të infermiereve, por edhe të mjekëve dhe personelit tjetër.”, - theksoi zëvendësministri i Shëndetësisë, Jovica Andovski.
Bëhet fjalë për 110 punësime të personelit mjekësorë që me vite janë të angazhuar me kontrata në institucionet shëndetësore. Por, nga Unioni i infermiereve ngritin shqetësimin se pas shpalljes së konkursit mund të punësohen persona të tjerë, e jo ata që janë të angazhuar me kontrata, siç ka ndodhur në të kaluarën.
GYLTENE SINANI