Lufta tregtare, Kina vendos tarifa reciproke ShBA-së

04.02.2025 15:04

Pasi presidenti amerikan, Donald Tramp, vendosi tarifa shtesë prej 10 për qind për produktet kineze...

Pasi presidenti amerikan, Donald Tramp, vendosi tarifa shtesë prej 10 për qind për produktet kineze, Pekini vendosi të hakmerret dhe prej 10 shkurtit do të aplikojë tarifa 15 për qind për qymyrin amerikan dhe gazin natyror të lëngshëm, 10 për qind për naftën bruto, pajisjet bujqësore dhe disa makina dhe hapi një hetim kundër monopolitit për "Google". Kjo nënkupton fillimin e luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. 

"Ne besojmë se kjo është në kundërshtim me rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë. Kjo është arsyeja pse Kina parashtron ankesë. Ne jemi gjithashtu të vetëdijshëm se mund të jemi të detyruar të marrim kundërmasa. Dhe më lejoni të theksoj se nuk ka fitues në një luftë tregtare.”, - deklaroi ambasadori i Kinës në OKB, Fu Kong. 
 
Presidenti amerikan Tramp ka pezulluar tarifat e shpallura prej 25 për qind për produktet nga Meksikoja dhe Kanadaja për 30 ditë, pasi dy partnerët më të mëdhenj tregtarë të ShBA-së njoftuan masa për sigurinë kufitare dhe kontrabandën e drogës. Janë caktuar ekipet negociuese.
 
“Kam pasur biseda të shkëlqyera me Meksikën. Ata ranë dakord të vendosnin 10.000 trupa në anën e tyre dhe të parandalonin fentanilin dhe ardhjen e të huajve të paligjshëm në vendin tonë. Ramë dakord të bisedonim dhe të shikonim gjëra të tjera të ndryshme. Ne nuk kemi rënë dakord ende për tarifat.", - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
 
“Është shumë e rëndësishme që tarifat të ndërpriten për të na lejuar të punojmë, të negociojmë, të njohim rëndësinë e marrëveshjes së tregtisë së lirë dhe të vazhdojmë të forcojmë zhvillimin tonë.”, - theksoi presidentja e Meksikës, Klaudia Sheinbaum. 
 
“Për mua, kjo nuk është një fitore e plotë. Unë ende mendoj se z. Tramp dëshiron të sulmojë Kanadanë. Ai javën e kaluar tha se nëse nuk do të ishin Shtetet e Bashkuara, Kanadaja nuk do të ishte një vend i qëndrueshëm. Është e frikshme të dëgjosh gjëra të tilla. Prandaj, ne duhet të jemi të përgatitur për të gjitha skenarët me këtë njeri.", - u shpreh kryeministri i Quebec, François Legault. 
 
Shefi i Shtëpisë së Bardhë kërcënoi më parë se do të vendoste tarifa edhe ndaj BE-së. Zyrtarët evropianë janë shprehur të gatshëm për dialog me ShBA-në për të gjetur një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. 
 
“Ka qartësisht sfida të reja dhe pasiguri në rritje, kështu që Bashkimi Evropian është i gatshëm për një dialog të fortë, por edhe konstruktiv me Shtetet e Bashkuara.”, - theksoi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Lejen.
 
Për tensionet ekonomike mes Brukselit dhe Uashingtonit, në Poloni po zhvillohet një debat i ministrave të tregtisë të Bashkimit Evropian. 
 
Ndërkohë Industria e Naftës e Serbisë NIS, ka dorëzuar një kërkesë zyrtare në Departamentin për Kontrollin e Pasurive të Huaja të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për shtyrjen e sanksioneve, njoftoi Ministria e Minierave dhe Energjisë e Serbisë. Është kërkuar nga ShBA-ja që t’i shtyjë sanksionet për të paktën 90 ditë dhe se këtë kërkesë e kanë mbështetur Qeveria e Serbisë dhe ajo e Hungarisë. Shtetet e Bashkuara e kanë vendosur NIS-in në listën e sanksioneve më 10 janar, për shkak të pjesëmarrjes në pronësi të kompanisë ruse “Gazprom Neft”, me qëllim të parandalimit të Rusisë që të përdorë të ardhurat nga sektori energjetik për luftën në Ukrainë.
 
BELINDA KOKA ADEMI