Oda Ekonomike Tregtare kundër vendimit të Qeverisë për uljen e marzhës

19.02.2025 15:56

Oda Ekonomike e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë ka shprehur shqetësim serioz për vendimin e Qeverisë për kufizimin e marzhës së fitimit...

Oda Ekonomike e Tregtarëve me shumicë dhe pakicë ka shprehur shqetësim serioz për vendimin e Qeverisë për kufizimin e marzhës së fitimit. Këto të fundit kërkojnë takim urgjent me kryeministrin, Hristijan Mickoski, si dhe me ministrin e Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, për të shqyrtuar pasojat e këtyre vendimeve dhe për të marrë parasysh propozimet e kompanive. Siç thonë nga kjo Odë, me këto vendime, parashikohet kufizimi i marzhës së produkteve ushqimore bazë, me pritshmëri që çmimet e këtyre produkteve të ulen mesatarisht 10 për qind, përveç qumështit, bukës, miellit të tipit 400 dhe 500, vezëve, vajit të gatimit, kosit dhe qumështit, të cilët pritet të mbeten në të njëjtin nivel.
 
“Nga njëra anë thuhet se produktet bazë shënohen me marzhë 20-25 për qind, çka është arsyeja e kufizimit të marzhës në 5 për qind, por nga ana tjetër pretendohet se nuk do të ketë ulje të ndjeshme të çmimeve. Është logjike që çmimet të ulen me 15-20 për qind, nëse marzha ulet në këtë mënyrë. Gjithashtu, këto vendime nuk mbrojnë qytetarët e cenueshëm social, por konsumatorët me të ardhura më të larta do të kenë përfitimin më të madh financiar. Në grupin e produkteve të mishit do të duhet të ulen edhe çmimet e produkteve luksoze, që do të thotë se nuk merren parasysh prioritetet e qytetarëve me të ardhura më të ulëta.”, thuhet në komunikatën e Odës Ekonomike të Tregtarëve.
 
Nga kjo Odë theksojnë se edhe pse Qeveria njoftoi se kjo masë do të mbulonte 1.000 produkte, në realitet bëhet fjalë për një listë shumë më të gjerë prej 3.000-4.000 produktesh, duke përfshirë të gjitha llojet e qumështit me përmbajtje të ndryshme yndyre. 
 
Nga ana tjetër, deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska, ka deklaruar se Qeveria në vend të masave gjysmake, të pranojë propozimet për uljen e TVSh-së për Energjinë Elektrike dhe produktet ushqimore.
 
“Kërkojmë që Qeveria t'i pranojë propozimet e LSDM-së për uljen e TVSh-së për energjinë elektrike dhe heqjen e TVSh-së në ushqime. Vendimi i fundit për të kufizuar marzhat është i vonuar dhe ngrirja e nivelit të çmimeve nga 1 shkurti është e gabuar, sepse çmimet tashmë janë rritur në janar. Kjo do të thotë se ato produkte të ngrira do të jenë me çmime më të larta. LSDM ofron: Uljen e TVSh-së për energjinë elektrike në 5%, heqjen e TVSh-së për ushqimet, zbatimin e gjithëmbarshëm të grupit të masave të LSDM-së dhe Ligjit për praktika të padrejta tregtare, çmimet do të ulen për 30 për qind.”, - theksoi deputetja e LSDM-së, Sanja Lukarevska.
 
Qeveria mori vendim për vendosjen e marzhës për 1.000 produkte, duke i kategorizuar në tri grupe. Grupi i parë ka të bëjë me ushqimet themelore, duke vendosur marzhë prej 5%. Për grupin e dytë të produkteve u vendos marzha  prej 10%. Ndërsa grupi i tretë i produkteve ku bëjnë pjesë detergjentet, ushqimet për fëmijë, etj., u vendos marzha prej 15%. 
 
FITIM KRYEZIU