Ndarja e VLEN-it, Taravari: Mickoski vlerëson nëse dalim nga Qeveria
24.04.2025 16:05
Çdo parti politike formohet për të qeverisë, por nuk e kemi patjetër të mbetemi në Qeveri...

Çdo parti politike formohet për të qeverisë, por nuk e kemi patjetër të mbetemi në Qeveri, vlerëson kryetari i ASh-së, Arben Taravari. I pyetur nëse Aleanca për Shqiptarët do të largohet nga Qeveria pas largimit nga VLEN-i, Taravari tha se për këtë vendos kryeministri, Hristijan Mickoski.
Ai theksoi se akoma nuk është biseduar me asnjë parti, sa i përket zgjedhjeve lokale, megjithatë ripërsëriti se ASh-ja del me lista të veçanta dhe se është e gatshme të bashkëpunojë me partitë në VLEN.
“Qeverinë e bën kryeministri. Unë kam biseduar me kryeministrin, sërish do të flasim. Nëse ai vlerëson se ASh-ja nuk duhet, ne nuk kemi asnjë problem, megjithatë mendoj se ASh-ja për momentin duhet, megjithatë nëse marrin vendim të tillë, nuk ka asnjë problem. Nuk mundet të tregojë askush tjetër, përpos atij që formon Qeveri, me të do të shihemi, dëgjohemi, jemi në komunikim, kështu që do të shohim ditëve në vijim.”, - deklaroi kryetari i ASh-së, Arben Taravari.
BDI: VLEN-i po eksperimenton me shqiptarët
Ndërkohë, nga BDI theksojnë se përfaqësuesit e koalicionit VLEN po eksperimentojnë me shqiptarët dhe kjo do të sjellë pasoja reale dhe të rrezikshme.
“Përfaqësues të koalicionit LEN, i cili me vetëm 9 deputetë (7.5% të deputetëve) pretendon të përfaqësojë mbi 29% shqiptarë në institucione, vazhdojnë të relativizojnë bashkëpunimin e tyre të mëhershëm me partitë maqedonase, duke e quajtur atë “eksperiment që nuk funksionoi”. Por problemi nuk qëndron tek një eksperiment i dështuar politik. Problemi është se kjo qasje e eksperimentimit me shqiptarët po vazhdon – me pasoja reale dhe të rrezikshme.”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
LSDM: Sistemi po shembet, derisa Qeveria lufton mes vete
Akuza vijnë edhe nga LSDM. Sipas tyre, i gjithë sistemi po shembet, ndërsa VMRO-DPMNE, Lëvizja “E di” dhe VLEN-i luftojnë mes tyre.
“Ndërsa i gjithë sistemi po shembet dalëngadalë, ata po e helmojnë publikun me mosmarrëveshje brenda koalicionit. Në vend që të bëjnë diçka nga programi, mediat janë plot me mosmarrëveshjet e tyre partiake. Është e qartë se përveç që janë të paaftë për të udhëhequr vendin, janë të paaftë edhe për të rënë dakord brenda Qeverisë se si të ndajnë tenderët, prandaj edhe po grinden. Njerëzit shikojnë sesi Qeveria lufton me veten, ndërsa shteti fundoset.”, - theksoi Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
LSDM vlerëson se qeveria e përbërë nga VMRO-DPMNE, Lëvizja “E di” dhe VLEN-i është qeveria më jofunksionale që ka pasur vendi ndonjëherë.
FLORIJE KAMBERI